TIRANË


Policia e Tiranës njofton se ka zbardhur ngjarjen e sotme të ndodhur në Tiranë, ku një 26-vjeçar u plagos me plumb në kokë nga një tjetër person.


Uniformat blu bëjnë me dije se kanë shpallur në kërkim autorin L.V. Sherri dyshohet se ka ndodhur pas një konflikti të çastit.


Gazetarja Dorjana Bezat raporton për “Balkanweb” se i plagosur rëndë ka mbetur shtetasi Indrit Çelaj 26 vjeç, i cili ndodhet në gjendje të rëndë në Spitalin Ushtarak në Tiranë.

Mësohet se autori dhe i plagosuri ishin kolegë dhe në momentin e ngjarjes, ata po bënin kondicionimin.

  • foto galeri

Njoftimi i policisë:

Tiranë.

Zbardhet ngjarja e plagosjes me armë zjarri në kokë e shtetasit I.,Ç, 26 vjeç,  lindur në Mallakastër e banues në Tiranë, i  cili ndodhet në Spitalin Ushtarak në gjendje të rëndë shëndetësore.

Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë, menjëherë pas marrjes së njoftimit se në Spitalin Ushtarak ka shkuar një person, i cili ishte plagosur me armë zjarri, ngriti një grup të posaçëm hetimor për zbardhjen e kësaj ngjarjeje.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Rënda në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë falë veprimeve të shpejta dhe profesionale bënë të mundur zbardhjen e ngjarjes dhe shpalljen në kërkim të autorit të dyshuar, shtetasit L.V, banues në Tiranë.

Rreth orës 11.30, në rrugën “Muhamet Gjollesha”, në një vilë trekatëshe, shtetasi I.Ç ishte duke kryer punime  për kondicionimin e vilës në pronësi të shtetasit B.K.

Nga hetimet paraprake dyshohet se shtetasi I.Ç, pas një konflikti të çastit me shtetasin L.V,  ky i fundit e ka plagosur në kokë me armë zjarri pistoletë dhe është larguar menjëherë nga vila.

Grupi Hetimor nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë po vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethaneve të ngjarjes, si dhe dokumentimin me prova ligjore të autorësisë së kësaj ngjarjeje.

Ndërkohë shërbimet e Policisë po vijojnë kontrollet për të bërë të mundur kapjen e autorit të dyshuar L.V.

(d.xh/Balkanweb)