Policia e Durrësit ka shpallur në kërkim dy shtetas për pengmarrjen e vëllezërve Indrit dhe Gentian Beqiraj në autostradën Durrës-Tiranë. Gazetarja Klodiana Lala raporton për News24 dhe BalkanWeb se një prej personave të shpallur në kërkim është shtetasi Agron Bejdolli.

Bejdolli kishte një lidhje të ngushtë me Aleksander Lahos alias Pëllumb Muharremi, i njohur ndryshe si ‘Rrumi”. Bejdolli drejtonte makinën e “Rrumit” ditën e atentatit ndaj makinës së prokurorit Arjan Ndoj. Sakaq, vëllezërit refuzojnë të japin shpjegime.

Bejdolli është personi që shoqëroi “Rrumin” dhe Ndojin në spital pas atentatit.

Kujtojmë se pengmarrja e dy vëllezërve ka ndodhur mbrëmjen e së shtunës, ndërsa pista kryesore ku po heton policia është heqja e paligjshme e lirisë dhe dyshohet se këta persona mund të kenë pasur konflikt më parë. Në bazë të dëshmisë së Indrit Beqiriaj dhe vëllanë të tij është referuar si konflikt i çastit. Ndërkohë pas për rreth dy orësh, Indrit Beqiraj është lënë i lirë nga pengmarrja.

Dinamika e atentatit ndaj “Rrumit”

Kujtojmë se atentati ndaj Aleksander Lahos alias Pëllumb Muharremit i njohur si Rrumi, person me të cilin kishte një lidhje të ngushtë Agron Bejdolli, i shpallur në kërkim sot nga policia e Durrësit për rrëmbimin ndaj dy vëllezërve Beqiraj, ka ndodhur në 2019 në fshatin Koxhas të Shijakut.

Pre e plumbave ranë edhe njerëz të drejtësisë, prokurori Arian Ndoji i cili ishte në sediljen e parë të automjetit Pëllumb Muharremi i njohur si ‘Rrumi’ që qëndronte në sediljen e pasme të makinës tip ‘Benz’ me targa AA 333 ZD, si edhe shoferi i prokurorit Ndoji, Andi Maloku, i cili humbi jetën 7 ditë më pas në spital.

Sipas dinamikës së ndërtuar të ngjarjes, mesditën e atentatit, prokurori Arian Ndoji po drekonte me mikun e tij Enver Shala dhe një të njohurin e këtij të fundit, në një restorant në lagjen Nr. 13 në Durrës

Vetëm pak minuta pasi kishin kryer porosinë, në tavolinë me ta bashkohet edhe Pëllumb Muharremi, i njohur ndryshe si ‘Rrumi’.

Menjëherë sapo përfunduan së drekuari, prokurori Ndoji dhe ‘Rrumi’, pasi u përshëndetën me grupin tjetër në tavolinë, dolën nga restoranti dhe u ngjitën në makinën e drejtuar nga Andi Maloku, i cili ishte punësuar si shofer i familjes Ndoji. Ndërkohë, që në ndjekje, pas tyre vinte edhe makina e ‘Rrumit’, e drejtuar nga Stiven Mziu, shoferi i këtij të fundit.

Është ky momenti, kur siç shikohet edhe nga grafika e ndërtuar nga emisioni ‘Në shënjestër’, sapo makina me prokurorin Ndoji në vendin e parë të pasagjerit dhe Rrumin në sediljen e pasme, futet në autostradë me drejtim Ura e Dajlanit-Mbikalimi i Shkozetit, pas tyre vihet në ndjekje automjeti i autorëve.

Fillimisht automjeti i autorëve e ndjek për afro 1 kilometër automjetin e shënjestrave të atentatit.

Pasi i arrin, automjeti i autorëve futet në mes të makinave të drejtuara nga shoferi i prokurorit Ndoji dhe atij të drejtuar nga shoferi i ‘Rrumit’.

Është ky çasti kur nga sedilja e pasme e makinës së autorëve hapet zjarr ndaj makinës ku udhëtonin prokurori Ndoji dhe ‘Rrumi’.

Automjet i cili pasi bën një zigzage të fortë, del në krahun e kundërt të makinës, nga ana e pasagjerit të viktimave të atentatit, duke i qëlluar për afro 100 metra, derisa makina e drejtuar nga Andi Maloku, ku ndodheshin prokurori Ndoji dhe Rrumi, del nga rruga dhe përfundon në anë të mbikalimit të Shkozetit.

Lidhur mbi ngjarjen e rëndë, 8 muaj pasi ajo ndodhi, grupi hetimor mori në pyetje ‘Rrumin’, i cili mbeti i plagosur rëndë në atentatin e ndodhur më 1 nëntor 2019, pranë mbikalimit të Shkozetit.

(BalkanWeb)

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb