Një 73-vjeçar ka ndërruar jetë në spitalin e Vlorës.
Policia njofton se i moshuari është paraqitur në ambientet e spitalit për të marrë ndihmë mjekësore, por nuk ka mundur të shpëtojë.
Mësohet se 73-vjeçari është dërguar në spital nga autoritetet e burgut të Vlorës, ku edhe vuante dënimin për veprën penale “Vepra të turpshme.”
“Më datë 16.10.2024, rreth orës 09:20, në spitalin e Vlorës, ka humbur jetën shtetasi B. Ll., 73 vjeç, banues në Vlorë, paraprakisht dyshohet për shkaqe natyrale. 73-vjeçari ishte dërguar për ndihmë mjekësore në këtë spital, nga shërbimet e IEVP Vlorë, ku vuante dënimin për veprën penale “Vepra të turpshme.”
Po punohet për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit dhe për përcaktimin e shkakut të humbjes së jetës”, thuhet në njoftimin e policisë.
Mbi ngjarjen ka reaguar edhe Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve IEVP Vlorë, ku sqarohet se 73-vjeçari u dërgua në spital me shenja jete, pasi kishte shfaqur shqetësime shëndetësore gjatë qëndrimit në institucion.
“Sot, më datë 16.10.2024, i paraburgosuri Binjar Llano Llanaj ndërroi jetë në Spitalin Rajonal të Vlorës. Ai u dërgua në spital me shenja jete, pasi kishte shfaqur shqetësime shëndetësore gjatë qëndrimit në institucion. Pavarësisht përpjekjeve të stafit mjekësor, ai ndërroi jetë sapo mbërriti në urgjencë.
Binjar Llano Llanaj, lindur më 25.03.1951 dhe banues në Kaninë, Vlorë, ishte i dënuar për kryerjen e veprës penale 108/2 “Vepra të turpshme”.
Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve dhe IEVP Vlorë i shpreh ngushëllime familjes”, thuhet në reagim.
(BalkanWeb)