Një emër i ri ka dalë në skena për mbrojtjen e Interit. Kampionët e Italisë kanë piketuar Yarek Gasiorowski Hernandis si investimin e duhur për repartin e prapavijës. 19-vjeçari i lindur në Spanjë por me origjinë polake, është pjesë e Valencias, klub ku është rritur. Ndërkohë që prej tetorit të vitit të kaluar bën pjesë në skuadrën e parë.

Gasiorowski luan në qendër të mbrojtjes, por mund të aktivizohet edhe në krahun e majtë. Së fundmi fitoi Europianin me ekipin U19 të Spanjës në turneun e organizuar në Irlandën e Veriut. Me Gasiorowskin me shokë që “kopjuan” suksesin e kombëtares A në Gjermani. Klauzola e mbrojtësit, i cili ka edhe një vit kontratë me klubin iberik, është rreth 20 mln euro. Drejtuesit e Interit kanë nisur bisedimet me agjentin e lojtarit.

I njëjti agjent i portierit Martinez, një nga afrimet e zikaltërve gjatë merkatos verore. Emri i Gasiorowskit është lidhur në të kaluarën edhe me Juventusin. Performancat pozitive në Euro U19 kanë tërhequr vëmendjen e kampionëve të Italisë që së shpejti do të paraqesin një ofertë te Valencia. Por më parë duhen vulosur largimet e emrave si Agoume, Satriano dhe Carboni.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: