Rrezikon të dështojë samiti i klimës në Baku, Azerbajxhan? Për çështjet financiare ende nuk ka progres. Por të paktën ka një ujdi për turizmin e butë ndaj klimës.

Edhe pas dhjetë ditë diskutimesh në Konferencën Botërore të Klimës në Baku puna ngec tek paratë, sa do të jenë ndihmat financiare të vendeve të industrializuara. Në konferencën e OKB-së për klimën në Baku janë prezantuar (21.11) propozime të reja për financimin e mbrojtjes së klimës dhe përshtatjes ndaj ndryshimeve klimatike. Megjithatë se cilat përmasa do të ketë kuadri i ri financiar të planifikuar janë lënë të hapura në draftin e vendimeve, ose thjesht janë vënë përballë njëra-tjetrës si çështje të kontestueshme.

Konferenca duhet të vendosë kuadrin e ri financiar për vitet 2025-2035. Por në vend të një shume konkrete, në një version të deklaratës gjen një hapësirë ​​bosh, në një version tjetër shuma minimale është thjesht prej 100 miliardë eurosh në vit, shumë që vendet e industrializuara janë angazhuar t’ua paguajnë vendeve në zhvillim për vitet nga 2020 e në vazhdim. Në një version tjetër, kërkohet një pagesë kompensimi për faktin se ky synim u arrit vetëm në vitin 2022. Por sipas një grupi të pavarur ekspertësh të OKB-së nevoja e ndihmës financiare kap një trilionë dollarë amerikanë në vit deri në vitin 2030 – dhe madje 1.3 trilionë deri në vitin 2035, pra deri në 13 herë më shumë se shuma aktuale e ndihmës për klimën.

Për një gjë u ra në ujdi në Baku. Mbi 50 shtete ranë dakord për një turizëm të butë. “Në COP29 kemi sot arritje historike”, tha Drejtoresha Ekzekutive e OKB-së për Turizmin, Zoritsa Urosevic, para gazetarëve. Për herë të parë, është përfshirë një turizëm miqësor ndaj klimës në objektivat e OKB-së. Industria e turizmit zë tre për qind të produktit të brendshëm global bruto, por shkakton 9% të emetimeve të gazrave serrë. Vendet që kanë rënë dakord për marrëveshjen duan që të respektojnë më shumë mbrojtjen e klimës në turizëm Për këtë do duhet të vendosen qëllime specifike.

BE nuk pranon draftin e konferencës
BE nuk i ka pranuar vendimet e draftit të deklaratës të përpiluara nga presidenca e Azerbajxhanit të paraqitura të enjten në konferencën e OKB-së për klimën në Baku. “Kjo është qartësisht e papranueshme siç është tani,” tha komisioneri i BE-së për Klimën, Wopke Hoekstra në konferencën COP29. Nuk ka “asgjë për të zbukuruar”. BE thekson se do të ofrojë shuma konkrete vetëm pasi të jenë sqaruar çështjet e tjera kyçe. “Përndryshe përfundoni me një shportë me produkte me një etiketë çmimi, por nuk e dini saktësisht se çfarë ka në të,” tha komisioneri i BE-së për Klimën, Wopke Hoekstra. Sekretarja gjermane e shtetit për klimën, Jennifer Morgan tha se “ne do të japin kontributin tonë”. Megjithatë, më parë, ajo e kishte quajtur “jorealiste” që vendet e industrializuara do të mblidhnin triliona ndihmë financiare nga buxhetet e tyre të rregullta.

Kina vend në zhvillim?
Berlini zyrtar po këmbëngul që vende si Kina dhe shtetet e pasura të Gjirit, të cilat kanë fituar shumë para nga nafta, gazi dhe qymyri, të kontribuojnë gjithashtu në pagesat ndaj vendeve të tjera. Sipas një klasifikimi 30-vjeçar të OKB-së, ato – si India – konsiderohen ende shtete në zhvillim dhe për këtë arsye vende përfituese. Nuk ka mirëkuptim për këtë. Ministri nigerian i Mjedisit Balarabe Abbas Laëal i tha Guardian: “Kina dhe India nuk mund të grupohen në të njëjtën kategori si Nigeria dhe vendet e tjera afrikane”. Edhe ministrja e Mjedisit e Kolumbisë, Susana Muhamad, i tha gazetës se kategoritë e vjetra ishin “të vjetruara”. Deklarata si këto mund të rrisin presionin ndaj Kinës.

Dokumenti paraprak në Baku gjithashtu thekson nevojën për përpjekje të mëtejshme për të kufizuar rritjen e temperaturës globale nën dy gradë, dhe nëse është e mundur në 1.5 gradë Celsius. Duke i referuar debatit financiar, theksohet se një kufi i tillë do të reduktonte ndjeshëm rreziqet dhe dëmet e shkaktuara nga ndryshimet klimatike. Konferenca për klimën përfundon zyrtarisht këtë të premte, por ka të ngjarë të zgjatet deri në fundjavë./DW

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb