Eshtë një ndjesi e zakonshme, ajo fantazmë që të zgjon nga gjumi. Nuk është gjë, thjesht një ëndërr e trishtë, ka shkruajtur një njeri i madh si Martin Amis. Janë ato zgjime të papritura, të diktuara prej një ndjesie marramendjeje, si të biesh në zbrazëti, ndjesia që duket sikur po mbytesh në polmonet e tua, teksa je shtrirë në shtrat. Apo pamja e një gjëje të tmerrshme që duket se po u ndodh fëmijëve, apo njerëzve të dashur. Ose kur imagjinon se si zbulohen dhimbshëm, të vërtetat e fshehura.

Si për shembull ajo hera kur gabove, ti dhe vetëm ti, për fajin tënd, dhe për shkak të atij gabimi ke bërë të vuajnë njerëz të tjerë, shokë skuadre, miq, bashkëshorte a bashkëshortë. Jo gjithmonë çështje kapitale. Secili ka sëmbimin e tij në zemër.

Turpe të vegjël e të mëdhenj, gjithsesi një ndjesi dhimbjeje e fortë që rishfaqet, pas shumë vitesh, sepse nuk është gjithmonë e vërtetë që koha shëron gjithçka, ajo është vetëm diçka që ne njerëzit ia themi njëri-tjetrit për t’u ngushëlluar, duke e ditur që maksimumi është gjysmë e vërtetë.

Dy net më parë, komentet në rrjetet sociale për të gjorin Karius vërshuan, mes talljes dhe dhembshurisë. Të paktën deri në minutën ’90 mbizotëronte e para, gafat e portierit të Liverpulit kishin dënuar skuadrën e tij. Vetëm ato, asgjë tjetër. Nuk kishte asnjë shkak tjetër të mundshëm. Faji yt. Pas fërshëllimës së trefishtë u shfaqën qartë pasojat. Ai burrë qante i dëshpëruar, ishte zgjuar krejt papritur, ishte vetëdijësuar për gjithçka dhe menjëherë. Papërshtatshmëria e tij, për të cilën të gjithë veç atij vetë ishin vetëdijësuar, frika e tij, katastrofa sportive që prodhuan këto dy gjëra. Vetmia në fushë, ku asnjë shok nuk i afrohej ta ngushëllonte, do të shndërrohet në vetminë me të cilën do të dënohet të ripërjetojë ato momente, ato çaste, sa herë që, duke pyetur veten se ç’do të kish ndodhur nëse do të kish qenë më kurajoz dhe më i zoti, por gjithmonë duke kuptuar një çast para zgjimit se nuk ishte e mundur, sepse në atë rast nuk do të kish qenë vetvetja por dikush tjetër, më i fortë, më i zoti, më i sigurt. Jo ai, Loris Karius, portieri.

Disa vite më parë, një trajner i famshëm, që sapo kishte humbur një ndeshje për shkak të një gabimi të portierit, shpjegoi se ai i portierit është roli më i vetmuar. Si të jesh një tenist mes dhjetë futbollistëve të tjerë, përgjigjesh i vetëm për gabimet e tua, nuk ka asnjëherë një ndarje të mundshme të fajit. Askush nuk ka shkruar ndonjëherë për një gafë të një mesfushori a sulmuesi.

Kushedi pse mendojmë gjithmonë që këta heronj modernë, dhe Kariusi ka ngjashmëri, i gjatë, i pashëm, i fortë fizikisht, nuk njohin dobësi. Kushedi pse mendojmë që s’janë të zakonshëm, si ne vdekatarët. Sporti agonist e ka këtë. Të prezanton, shfaq limitet e tua, të detyron të vetëdijësohesh për pamjaftueshmërinë tënde. Kariusit i ndodhi para disa miliona njerëzve. “Ende nuk kam arritur të mbyll sytë – tha mëngjesin tjetër – vazhdoj të jetoj ato dy aksione në mendjen time”.

Si të gjithë, do ta bëjë i vetëm dënimin e tij. Pas një muaji, një viti, pas shumë vitesh, kur të jetë i rrethuar nga bij dhe nipër, duke u zgjuar në mes të natës, krejt papritur, pasi ka qarë në gjumë. Do të ripërjetojë pamjet e Kievit. Nëse do të ketë fat, gjë që ia urojmë, do të ketë në krah një njeri që do i thotë se s’ka rëndësi, ishte thjesht një ëndërr, tani të kthehet të flejë, se kaloi. Por ai do ta dijë se nuk është e vërtetë. Sepse nuk kalon kurrë. Loris Karius, njëri prej nesh. /CdS – Bota.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb