“Goliathi kundër Davidit”, apo i madhi kundër të voglit, Angli-Shqipëri është pa diskutim një sfidë e tillë, një ndeshje që në letër nuk ka histori, fundja në 6 përballjet kundër tyre nuk kemi arritur kurrë t’i marrim qoftë dhe një pikë, kemi pësuar 19 gola dhe kemi shënuar vetëm 1, por në futboll asgjë nuk është e pamundur.
Mqs jemi tek statistikat, duket e vështirë për t’u besuar, por Shqipëria nuk ka pësuar humbje prej 23 vitesh në debutim në fazën kualifikuese të një Botërori, në 5 edicionet e fundit kemi arritur minimumi të marrim 1 pikë, nëse do të ruajmë këtë trend edhe ndaj Anglisë do të ishte një kryevepër.
Nuk besojnë shumë në një përfundim të tillë, as kompanitë e basteve as specialistët e futbollit, por besojnë shumë tifozët kuqezi të cilët pritet të jenë afro 20 mijë në Wembley për të mbështetur Sylvinho-n dhe të besuarit e tij.
Për fat të keq, ky nuk ishte grumbullimi ideal për tekniku kuqezi. Sylvinho sheh t’i “avullojë” thuajse një repart i tërë, mbrojtja. Pa Mitaj dhe Hysaj që në start, Sylvinho duhet të bëjë llogaritë me shumë mundësi edhe pa Ismajlin dhe Kumbullën, të dy janë stërvitur të diferencuar.
Sipas të gjithë gjasave do t’i besojë qendrën dyshes Gjimshiti-Ajeti. Nuk ndryshon as skema e filozofia e lojë, as besnikët e tij në mesfushë, Asllani-Ramadani-Laçi. Dilema e vetme ka të bëjë me majën e sulmit, Uzuni apo Rey Manaj nga minuta e parë, ndërsa nuk prekën as krahët, Bajrami-Jasir Asani. Ndërkohë, Etnik Brruti, Andi Hadroj dhe portieri Simon Simoni do ta ndjekin këtë takim nga tribuna e Wembley-it.
(BalkanWeb)