“Real Madridi është klubi më i mirë në botë, nuk dua të gënjej, është ëndrra ime, që kur isha fëmijë. Kam ëndërruar për këtë klub. Ne do të shohim”. Ky është rrëfimi i fundit i Eden Hazard, në përputhje me ato të bërë në të kaluarën, çka nuk garanton, megjithatë, se do të përfundojë duke luajtur në ekipin që ka simpatizuar qysh fëmijë.

Në fakt, belgu ka disa shokë në këtë drejtim, që përfunduan duke nënshkruar për Real Madridin, edhe pse ishin shfaqur më parë admirues të rivalit të madh të të bardhëve, Barcelona. Në këtë rast, janë tri “pesha të rënda” të “Merengues”: Luka Modric, Isco Alarcón dhe Marco Asensio.

Luka Modric, aktualisht më i miri për FIFA-n, ishte një tifoz i Barçës që nga fëmijëria e tij. Në një intervistë me “Francesc Aguilar”, botuar nga “Mundo Deportivo” më 25 janar 2008, Modric, atëherë ende te Dinamo Zagreb, ka pozuar me fanellën e Barçës, duke shpallur pasionin e tij për blaugranët, me fraza të tilla si: “Unë jam krenar që bëj tifo për Barcelonën, uroj të provoj se kam cilësi për t’i mbrojtur ato ngjyra”; “unë flas shumë me Prosinečki për Barcelonën dhe, kur shkova si spektator në “Camp Nou”, kisha idhull Johan Cruyff”; “duhet të jetë diçka e madhe për të luajtur te Barça”; “unë do të bëj gjithçka mundem, për ta bërë këtë ëndërr të vërtetë”.

Në korrik të vitit 2018, kroati i Barcelonës, Rakitic, gjithashtu i konfirmoi “MD” atë që shoku i tij pëlqente vite më parë: “Të gjithë si fëmijë kemi pasur ekipin tonë të preferuar dhe tashmë nuk është sekret që Luka simpatizonte ngjyrat azulgrana”. Një tjetër goditje e Real Madridit, që kishte shfaqur hapur simpatinë për skuadrën katalanase, ishte Isco. Dashuria e tij për Barcelonën ishte gjithnjë e natyrës ditore dhe personale, jo përmes intervistave, shkruan telesport.

Marco Asensio u bë lojtar i Real Madridit në vitin 2014. Më parë, ai kishte lënë shenjë si adhurues i Barcelonës. Në një status të vitit 2011, pasi Barcelona shpallej kampione e Europës, ai shkruante: “Nuk ka asnjë si Barça, dhe më pak si Messi”!

BalkanWeb

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb