Në programin “Gëzuar me ju” këtë të diel protagonistët e mbrëmjes ishin vetë vëllezërit korçarë, Endri dhe Stefi Prifti, të cilët mes miqve dhe bashkëpunëtorëve interpretuan disa prej projekteve të tyre muzikore dhe ndanë rrëfime për rrugëtimin e tyre profesional, por edhe personal.

Mbrëmja filloi me këngën “Kjo është jeta ime”, një këngë shumë e bukur për të cilën vetë vëllezërit korçarë thanë se në njëfarë mënyre, përfaqëson jetën e tyre. Kjo këngë u publikua në 50-vjetorin e Endri Priftit më shumë se një vit më parë, dhe së bashku me të asokohe ata publikuan edhe dy projekte të tjera, “As Shpirt as zemër” dhe “Nëna”.

Këngë të tjera që Endri dhe Stefi risollën për gjithë teleshikuesit e News24 ishin, “Më e mira”, “Kaçurrelat si atëherë”, një këngë të cilën Stefi e ka krijuar kur ka qenë student, “Lozonjare”, “I kam vënë kapak”, “Bëj qejfin tamam”, e së bashku me superinterpretimet, ata rrëfyen kujtime nga realizmi i këtyre këngëve.

Një moment i bukur në studio ishte kur Endri së bashku me mikun e tij Devis Xherahu kënduan këngën, “Miku im”, mes batutave Stefi u shpreh se nuk arrinte ta kuptonte se si Devis Xherahu mundi ta veçonte atë në këtë projekt, duke zgjedhur vetëm Endrin.

Të pranishëm në “Gëzuar me ju” ishin edhe disa prej nxënësve të universitetit “Luarasi”, njëri prej të cilëve pyeti se si vëllezërit korçarë kanë mundur t’iu rezistojnë kohërave me muzikën e tyre, pavarësisht vështirësive që mund të kenë hasur. Stefi tha se asgjë nuk është e lehtë, por përveç zërit dhe talentit që është i lindur, theksoi se ata kanë studiuar për muzikë dhe kjo ka qenë padyshim një nga faktorët që i ka ndihmuar shumë.

Pas kthimit nga Greqia, në vitin 2000 ata hapën një lokal në Korçë, ku për 10 vite performonin gati çdo natë, duke u bërë shumë të njohur. Stefi nuk la pa përmendur as ftesën e vazhdueshme që kanë marrë nga Pandi Laço për pjesëmarrjen në “Këngët e shekullit”, duke e falënderuar për ndikim që ka patur në karrierën e tyre, e cila më pas vijoi të kishte vetëm suksese.

Në mes miqve të shumtë të vëllezërve korçarë, në studio për të ndarë e folur për lidhjen, bashkëpunimet e miqësinë e tyre ishin edhe, Klodi i “Divjaka fish”, ish-kapiteni Skënderbeut Blendi Shkëmbi, kompozitori Vani Rushiti, fituesja e “Miss Earth 2023” Drita Ziri, aktorët Ledio Lako dhe Salsano Rrapo, i cili i cilësoi vëllezërit korçarë si legjenda të muzikës live.

Një videomesazh mbërriti në fund të “Gëzuar me ju” nga aktori Rezart Veleshnja, i cili ka një miqësi të gjatë me Endrin dhe Stefin.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb