Gazetari Endri Xhafo në rubrikën “Opinion” në News24 duke komentuar deklaratën e zv.Ndihmës Sekretarit amerikan të Shtetit, Gabriel Escobar, tha se ajo është një mesazh i drejtpërdrejtë për Sali Berishën.

“Ne kemi nevojë për një opozitë që mund tëbëjë me përgjegjësi qeverinë, që mund t’u ofrojë njerëzve opsione, një sërë opsionesh për t’u përballur me sfidat e rrugës evropiane të Shqipërisë. Për këtë duhet që opozita të jetë shumë e qartë se cili është qëndrimi i saj, të jetë e qartë për udhëheqjen e saj. Dhe më duhet të them, shpresoj që zgjedhja për drejtimin të mos jetë dikush që na kujton ditët e këqija e të vjetra në Shqipërinë e viteve ’90. Kështu që unë shpresoj se përfundimisht partia kryesore opozitare do ta gjejë rrugën e saj”, ishte deklarata e Escobar.

Xhafo solli në vëmendje atë se çfarë ndodhi gjatë periudhës 1992-1996, gjatë kohës që Sali Berisha ishte President, duke shtuar se kulmi arriti me zgjedhjet e 26 majit dhe dhunën e ushtruar ndaj disa prej figurave kryesore të opozitës së asaj kohe, dy ditë pas zgjedhjeve të 1996.

Xhafo tha se Escobar është në një qëndrim të qartë që “ne nuk e duam Sali Berishën”.

“Escobar është në një vijimësi qëndrimesh, mesazhi i drejtohet Berishës dhe e thonë qartë që amerikanët nuk e duan”, tha Xhafo.

Në vijim gazetari tha se çështja që shtrohet është nëse në këtë vend ne do të pranojmë që liderët politikët të na i caktojnë ose jo të huajt, qoftë kjo edhe fuqia më e madhe, siç janë SHBA.

“Në një çështje shumë më të ndjeshme, sikundër ajo e Iranit, ne shikojmë se amerikanët nuk flasin me një zë.

Do të ishte mirë të flisnin me një zë, por nuk flasin. Tani në rastin e z. Berisha kemi kongresmenë, pra ligjvënës që kanë folur.

Mua në momente të caktuara më pëlqen të jem sovranist. Por nga ana tjetër po të mos ishte SHBA, as Kosova nuk do të ishte e pavarur, as ne nuk do të ishim në NATO.

Zgjuarsia është që të mos kesh probleme me SHBA, dhe zoti Berisha i ka problemet me ta.

Me shumë gjasë Trump do të vijë në pushtet në SHBA. Demokratët shpresojnë që me ardhjen e Trump në pushtet, gjërat do të ndryshojnë, por ne nuk e dimë nëse do ti vijë rradha të merret me Shqipërinë”, tha Xhafo.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: