Gazetari Endri Xhafo, i ftuar në News 24, diskutoi në lidhje me debatin virtual mes kryeministrit Edi Rama dhe kreut të Euro-Atlantikëve, Lulzim Basha. Xhafo sugjeron se Rama ka një strategji për të favorizuar Bashën, duke tentuar ta bëjë një faktor politik në vend, duke tërhequr kështu vëmendjen nga çështje më të rëndësishme dhe reale. Ai e vlerëson këtë lëvizje si një mundësi për Bashën të rikthehet në skenën politike.
Ai tha se ka mungesë programi të qartë nga Partia Socialiste, duke theksuar se gjatë zgjedhjeve të 2021, Rama dhe qeveria e tij vazhduan me “tallava”.
Endri Xhafo: Debati i Ramës me Bashën është që të tërheqë vëmendjen nga gjërat reale. Rama po favorizon Bashën, kërkon ta bëjë faktor politik. Çdo faktorizim nga kryeministri, partitë e reja besoj se do e pranonin. PD ka një lloj programi dhe pyes përherë nëse programi vlen ndonjë gjë në Shqipëri. Kam idenë se programi i PS nuk ekziston. Në zgjedhjet e 2021, vijoi me tallava. Kryeministri prej kohësh nuk ka shkuar në parlament, ai ka aftësinë që t’ju ikë pyetjeve. Nuk mund ta akuzosh qeverinë Rama se nuk ka pasur të rinj, puna është se cila është cilësia. Edhe PD ka të rinj në radhët e saj. Edi Rama ka shumë kohë në politikë, jo vetëm Berisha. Prurja e të rinjve është që t’ju thonë qytetarëve se ne mund ta rishpikim vetveten. Por mendoj se të rinjtë nuk e kundërshtojnë dot kryetarin. Do thosha se Berisha, me gjithë problemet, është më karizmatik sesa Basha.
(Balkanweb)