Përfshirja e ish-sekretarit të Përgjithshëm të Partisë së Lirisë, Endrit Braimllari, në listat e Partisë Socialiste për zgjedhjet e 11 majit ka shkaktuar debat të ashpër mes gazetarit Almer Toska dhe këshilltarit të PS në Këshillin Bashkiak të Tiranës, Alfred Muharemi.
Në një debat në studion e News24, gazetari Toska akuzoi PS-në se ka futur në listat e saj “tradhtarët e Ilir Metës”, duke përmendur konkretisht Braimllarin dhe rolin e tij në çështjen e lobimit të Partisë së Lirisë.
“Ke marrë njerëz në listë si Endrit Braimllari, tradhtarët e Ilir Metës. Braimllari ka firmosur për lobingun dhe burgun e bën Ilir Meta”, u shpreh Toska.
Nga ana tjetër, Muharemi mbrojti përfshirjen e Braimllarit, duke këmbëngulur se ai nuk ka tradhtuar qytetarët dhe se është thjesht pjesë e një misioni politik.
“E gjeti rrugën Endrit Braimllari. Nuk tradhtoi Ilir Metën, ai nuk tradhton dot qytetarët. Atë e tradhtuan! Është mision politik ky, zotëri”, tha ai.