Një terapi purifikimi përveç detox-it do të ishte ideale në Hotel Merano Palace. Një spastrim i mirëfilltë, për të larguar jo vetëm helmet ushqimore, por edhe gjithë këta shokë që i janë shpërndarë rrugëve si mall pa zot. Disa janë arratisur, disa në burg, disa duke bërë gati valixhet për fluturimin e fundit pa kthim. Disa i dalin në ëndrra, duke i ngrënë dardhat që ka fshehur me mund e djersë në ndërtim. Ca të tjerë shfaqen në Rinas, gati për ta tradhtuar. E të tjerë, më të neveritshmit, shfaqen në Spanjë, në pritje të ndonjë oferte më të mirë.
E si të mos shqetësohet njeriu? Gjumi nuk është më ai që ishte. E zë një herë në ca net të qeta, por i del shpejt, i djersitur, me frikën se mos edhe këto dardha të fundit po i rrëshqasin nga duart. Dhe dardhat, dardhat nuk falen! Nuk janë mollë, që i ha secili si t’i vijë. Janë të përzgjedhura. Janë vizion.
Në këto raste, ai merr frymë thellë, vështron pasqyrën dhe kujdeset për atë pjesën e fytyrës që i ngjan Ismailit. Nuk duhet lejuar që të shformohet. E ka mbajtur me kujdes, e ka kuruar, e ka ngritur në art. Në raste krizash më të thella, ai nxjerr edhe festen e zezë. Një detaj që e lidh me madhështinë. I qëndron përballë pasqyrës, atje në dhomën sekrete të bunkerit, dhe vizaton. Vizaton me ngjyra të errëta, me linja të trasha, siç bëjnë të mëdhenjtë kur janë të keqkuptuar.
Dhe po, ai ndihet i madh. I pakuptuar. Si të gjithë artistët.
Por problemi është se askush nuk ndjek ëndrrën e tij pa dashur diçka në këmbim. Askush nuk pranon thjesht ta adhurojë, ta përjetojë madhështinë e tij, ta ndihmojë të shërojë plagët e keqkuptimit. Dhe kjo është dramatike! Se ai ka bërë kaq shumë për këtë vend! Miliarda euro të derdhura në ndërtim, në turizëm, në Kryeqytet. Madje ai vetë, i madhërishmi, ka shkuar deri në Dubai për të ftuar investitorët më të mirë që mund të gjejë një artist.
Ata nuk janë ca kriminelë të thjeshtë narkosi, siç duan ta shesin ata nga ana tjetër e Atlantikut. Jo! Ata janë vizionarë, janë njerëz me pasion, me vizion për Shqipërinë moderne. Ata duan të investojnë! Dhe ai vetë, me këto duar, ua ka zgjedhur studiot, ua ka vizatuar fasadat, ua ka dhënë lejet. Madje, në çaste frymëzimi, ka marrë telefonin dhe ua ka ndryshuar edhe numrin e kateve. Se kështu bëhet arti! Me ndjesi, me spontanitet, me frymëzim!
Por opozita…? Ah, opozita. Një tufë primitivësh që nuk kuptojnë asgjë. Ky flet për miliarda, ata flasin për pensione minimale. Ky i ngre qytetit kulla, ata duan t’i ulin faturën e dritave popullit. E pashpjegueshme. E neveritshme. E tillë që të detyron të hapësh një shishe nga ato të ruajturat me kujdes, nga ato që i kanë sjellë çunat me porosi nga Franca. 20 e ca mijë euro shishja? Po ç’rëndësi ka?! Lideri nuk jeton si turmat. Lideri jeton me shije.
Dhe, përveç të gjithave, tani duhen përballuar edhe amerikanët. Po ç’i ka gjetur more këta? Si nuk e kuptojnë që nuk ka asnjë problem këtu? Ata që ai i quan “investitorë” janë investitorë, pikë! Nuk janë ca banditë droge siç i shohin këta nga ambasada. Po ç’është kjo këmbëngulje idiote? Nuk e kuptojnë artin, vizionin, modernitetin. Nuk e kuptojnë se çfarë do të thotë të ndërtosh një vend nga themelet, me duart e tua. Nuk e kuptojnë se artistët kanë nevojë për liri, jo për kufizime.
Kjo e acaron shumë. Pse nuk shkojnë në burg vetë të tijët, të sakrifikohen si njerëz të qytetëruar, dhe ta lënë të qetë të ndërtojë këtë vend? Ja, Ben Ahmeti, çfarë do më shumë ky? E bëri numrin dy të vendit dhe tani del te Çimi Tv e tregon tendera! Po ku ka më shije ky vend?
Erioni, po ashtu, një zhgënjim. Nuk u bë kurrë burrë. Beqja? Ja, ai diti si të ikte. Iku si zotëri, në heshtje, me dinjitet. Pa shqetësuar askënd. Ai e di që do të dalë si zotëri, se familja e madhe nuk harron. Ai e di që me një bisedë të vogël me Dumanin, çdo gjë mund të zgjidhet. E tillë është jeta. E tillë është loja.
Dhe kështu, duke mbajtur gotën me verë në dorë, duke ndjerë dritat e qytetit që reflektojnë mbi fasadat e vizatuara me pasion, ai merr një vendim.
Duhet pastruar gjithçka. Partia. Rrethi i ngushtë. Mediat. Amerikano-analistët. Gjithçka që pengon frymëzimin.
Një artist i madh nuk mund të ndotet nga mediokriteti. Dhe ky vend duhet të ecë përpara.
Nën drejtimin e tij, sigurisht.
(BalkanWeb)