Zyrtarët amerikanë besojnë se Izraeli ka ngushtuar objektivat e përgjigjes së tij ndaj sulmit të Iranit, duke u fokusuar tek infrastruktura ushtarake dhe ajo energjetike.
Lindja e Mesme mbetet në tension nga frika e përshkallëzimit të luftës njëvjeçare mes Izraelit dhe lëvizjeve Hezbollah në Liban dhe Hamas në Gaza.
Teherani, një ndër prodhuesit më të mëdhenj të naftës në botë, ka kërcënuar shtetin hebre me pasoja të rënda nëse Republika Islamike sulmohet.
Izraeli ka deklaruar vazhdimisht se do t’i përgjigjet sulmit iranian të 1 tetorit, që u krye në shenjë hakmarrjeje për operacionet izraelite në Gaza dhe Liban, si dhe për vrasjen e liderëve të milicive të Hamasit dhe Hezbollahut.
Për momentin, sipas mediave amerikane që citojnë burime zyrtare në kushte anonimati, nuk ka të dhëna se Tel Avivi do të sulmojë impiantet bërthamore apo do të kryejë vrasje të nivelit të lartë.
Gjithashtu, burimet shtojnë se qeveria e kabinetit Netanyahu nuk e ka marrë ende vendimin përfundimtar për mënyrën dhe kohën e sulmit.
Zyrtarë amerikanë, por edhe izraelitë sugjerojnë se përgjigjja mund të vijë gjatë pushimeve për festën e shenjtë Jom Kipur.
Konflikti mes Izraelit dhe Hezbollah shpërtheu një vit më parë kur lëvizja nisi të qëllonte raketa në veri të shtetit hebre, pas fillimit të luftës në Gaza dhe është përshkallëzuar në javët e fundit.
Ushtria izraelite ka deklaruar në orët e fundit se vazhdon të veprojë në jug të Libanit për të çmontuar tërësisht infrastrukturën e militantëve islamikë.