TIRANE – Ministri i Energjisë dhe Industrisë theksoi se projekti i qeverisë në sektorin energjetik është që në vitin 2018 të mos ketë më humbje financiare. Gjatë një takimi me ambasadorin amerikan Donald Lu, ministri Gjiknuri tha se qytetarët e ndershëm po e mbështesin gjithnjë e më fort rivendosjen e ligjshmërisë në konsumin e energjisë elektrike.
“Reforma në sektorin energjetik është një reformë e vështirë, e cila kërkon kohën e saj, që të mund të japë efektet e plota”,- tha Gjiknuri.
Ministri u ndal më pas tek nevoja për liberalizimin e tregut të energjisë elektrike, forcimi i lidhjeve të interkonjeksionit me vendet fqinje dhe diversifikimi i burimeve.
Nga ana e tij, ambasadori Lu i konsideroi të rëndësishëm dhe ambicioze hapat e ndërmarrë deri më tani nga qeveria sa i takon rritjes së arkëtimeve të energjisë elektrike dhe përmirësimit të situatës financiare. Ambasadori garantoi mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, edhe përmes asistencës së USAID-it për reformën në sektorin energjetik.
Z.Lu e konsideroi ndërkaq projektin e gazsjellësit TAP me rëndësi shumë të madhe për zhvillimin ekonomik të Shqipërisë dhe rajonit në tërësi. “Gazsjellësi TAP e vendos Shqipërinë në një pozicion kyç dhe ndryshon hartën energjetike”, – u shpreh ambasadori Lu duke garantuar për mbështetjen amerikane të këtij projekti.
Ministri Gjiknuri dhe ambasadori Lu ndanë të njëjtin vlerësim për nevojën e rritjes së numrit të kompanive amerikane që investojnë në ekonominë shqiptare dhe konkretisht në fushën e hidrokarbureve, energjisë dhe industrisë minerare. Ambasadori Lu tha se Shqipëria ofron potenciale, të cilat mund të jenë interesante për sipërmarrësit amerikanë duke i shërbyer ekonomisë së të dyja vendeve.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: