Nga:LORENC RABETA*

TIRANE- Ndërsa të tre operatorët energjetikë kanë kërkuar rritje të çmimeve, gjatë mbledhjes së djeshme të Entit Rregullator, qeveria ka propozuar 5 nivele tarifash. E para do të jetë për konsumatorin familjar (që do të mbetet sa kosto mesatare aktuale pas ristrukturimit nga heqja e fashës mbrojtëse), e dyta për furrat e bukës dhe fabrikat e miellit dhe tre të tjerat për konsumatorët jofamiljarë, e cila nuk do të llogaritet në bazë të natyrës së bizneseve, por në bazë të llojit të aksesit në rrjet. “Për jofamiljarët të ndërtohet tarifa sipas aksesit në rrjet dhe furnizimit të saj dhe jo mbi bazë sektoriale apo natyrë industrie. Për këtë qëllim sugjerojmë tre nivele tarife; (a) tarifë për konsumatorët e lidhur në 35 kV, (b) tarifë për konsumatorët e lidhur në 20/10/6 kV dhe (c) tarifë për konsumatorët e lidhur në 0.4 kV”, tha zëvendësministri i Energjetikës, Ilir Bejtja, i cili paraqiti në dëgjesën publike të Entit Rregullator qëndrimet e qeverisë.
TRE OPERATORËT
Siç qe paralajmëruar prej kohësh, tre operatorët e sektorit të energjisë elektrike paraqitën publikisht kërkesat e tyre për çmimet që do të aplikohen duke filluar nga viti 2015.
Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike kërkoi që çmimi i ri i shitjes me pakicë të jetë mesatarisht 12.03 lekë, rreth 22% më shumë nga çmimi mesatar aktual. Operatori i Shpërndarjes kërkoi gjithashtu heqjen e të gjitha fashave të çmimeve, përfshi fashën e parë prej 300 kwh për konsumatorët familjarë. Rritje të çmimit të energjisë kërkoi edhe Korporata Elektroenergjetike Shqiptare, në funksionin e furnizuesit publik me shumicë dhe Operatori i Sistemit të Transmetimit.
OSHE
OSHEE propozoi një tarifë prej 12.03 leke/kwh për vitin 2015, duke bërë që çmimi për konsumatorët të rritet me 5 lekë. Sipas tyre, ky është minimumi i rritjes që ata mund të kërkojnë, si dhe insistojnë heqjen e të gjitha fashave ekzistuese. “OSHEE propozon një tarifë mesatare prej 12.03 lekë për leke/kwh, e cila ka një rritje me 22 për qind, në krahasim me tarifën ekzistuese. OSHEE ka kërkuar në aplikimin e vet, heqjen e të gjitha fashave. Ne propozojmë jo vetëm fashën për publikun, e cila është element i mundësisë së madhe të abuzimit, por edhe fasha të tjera janë elementë abuzimi”, tha Adrian Basha, përfaqësues i OSHEE-së.
KESH
KESH propozoi që të rritet çmimi nga 2.2 leke/ kwh në 3.4 leke/kwh për energjinë e shitur tek OSHEE. “Marrëdhënia mes KESH-it dhe OSHEE-së, marrëdhënie e trashëguar që në momentin kur kompania ishte e privatizuar, ka qenë paksa e ndërlikuar, për arsye të mospagesave në mënyrë të vazhdueshme nga ana e shoqërisë së shpërndarjes. Këtë mungesë likuiditetesh KESH është detyruar ta mbulojë nëpërmjet overdrafteve. Rrjedhimisht edhe kjo tarifë e propozuar nga KESH për furnizimin publik me shumicë, parashikon edhe kostot që lidhen me këto overdrafte”, tha Erideta Basha, përfaqësuese e KESH-it.
OST
Operatori i Sistemit të Transmetimit kërkoi që nga 0.65 leke/kwh me të cilën e transmeton energjinë të bëhet në 0.75 lekë/ kwh dhe sërish tarifa i faturohet OSHEE-së.
PROPOZIMET E QEVERISË PËR KATEGORITË E KONSUMATORËVE
1-Qeveria shpreh qëndrimin e saj për mostejkalim të kostos mesatare aktuale pas ristrukturimit të tarifës nga heqja e fashës për konsumatorin familjar.
2-Për furrat e bukës dhe fabrikat e miellit të ketë një tarifë më vete, e pandryshuar nga ajo që kemi aktualisht. Ky përjashtim propozohet për të mbajtur në këtë nivel shpenzimet e konsumatorit familjar për ushqimin bazë.
3-Për jofamiljarët të ndërtohet tarifa sipas aksesit në rrjet dhe furnizimit të saj, dhe jo mbi bazë sektoriale apo natyrë industrie. Për këtë qëllim sugjerohen tre nivele tarife; (a) tarifë për konsumatorët e lidhur në 35 kV, (b) tarifë për konsumatorët e lidhur në 20/10/6 kV dhe (c) tarifë për konsumatorët e lidhur në 0.4 kV.
4-Të dalin nga sistemi i furnizimit me tarifë të rregulluar të gjithë konsumatorët e lidhur në rrjetin 35 kV brenda vitit 2015, dhe ky proces të vazhdojë të thellohet edhe për konsumatorët e tjerë jofamiljare. Kjo kërkon miratim të tarifave të aksesit
dhe shpërndarjes për secilin nivel tensioni, me qëllim garantimin e hapjes së tregut dhe furnizimit të rregullt me energji të tyre.
5- Strukturimi i tarifave të shpërndarjes bazuar në kosto, në mënyrë që të stimulohet dalja e konsumatorëve të lidhur në tension të mesëm nga tregu i rregulluar dhe të rritet konkurrenca e lirë në shpërndarje.
(ma.ar/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb