TIRANE – Ishin mbi 5800 punonjës policie që nuk kishin kontratë me OSHEE-në ose që ishin debitorë të rënduar”. Kështu është shprehur ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, gjatë konferencës “Rimëkëmbja energjetike – Rezultatet e vitit 2014”, organizuar nga Organi i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, ku i pranishëm ishte edhe kreu i Policisë së Shtetit, Artan Didi.
“Kur nisëm këtë aksion, ishin mbi 5800 punonjës policie, të cilët, ose nuk kishin kontratë me OSHEE-në, ose ishin debitorë të rënduar. Ne sigurisht nuk mund ta linim vendin pa punonjës policie, ndaj vendosëm që të zbatonim të njëjtin standard si për qytetarët e tjerë, duke i detyruar në kohë rekord të shlyenin detyrimet me OSHEE-në dhe të ktheheshin kështu në qytetarë të mirë. Sot që flasim janë zero”, – theksoi Tahiri në fjalën e tij.
Sipas ministrit të Brendshëm, gjatë kësaj kohe janë arrestuar në flagrancë 744 persona; 583 prej tyre janë pronarë biznesesh, të tjerët janë me godina mbi 150 metra katrorë, ndërkohë që janë mbi 60 punonjësit e OSSHE-së, drejtues, punonjës, faturistë, e kështu me radhë. “Këta janë partia e të arrestuarve, që me demek në publik thuheshin të varfrit që vidhnin energjinë elektrike dhe që iu qahej halli nga vajtoret politike”, – tha ministri Tahiri.
Nga ana tjetër, kryepolici Artan Didi, në fjalën e tij pasqyroi rezultatet e arritura në operacionin kundër vjedhjes së energjisë elektrike. Sipas Didit, Policia e Shtetit ka kryer 96 676 kontrolle në kuadër të operacionit të energjisë elektrike, ku janë konstatuar 1470 raste të vjedhjes së energjisë.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb