TIRANE- Nënkryetari i Komitetit për Punët e Jashtme në Kongresin Amerikan, Eliot Engël, gjatë qëndrimit disa ditor në Shqipëri, vizitoi edhe memorialin e heroit të demokracisë, Azem Hajdari.

Pasi vendosi një tufë me lule në vendin ku humbi jetën 18 vjet më parë udhëheqësi i Lëvizjes Studentore të Dhjetorit 1990, Engël tha se Azem Hajdari dha jetën e tij që Shqipëria të jetojë e lirë dhe në demokraci.

I shoqëruar nga personaliteti i njohur shqiptaro-amerikan Harry Bajraktari, dhe ambasdori i SHBA Donal Lu, Engël citoi një deklaratë të të ndjerit Hajdari deklaruar në dhjetor të vitit 1990. “Sot në këtë lëvizje studentore, deklaroj pluralizmin politik dhe fillimin e demokracisë në Shqipëri”.
Më tej ai tha se është i mrekullueshëm rikthimi në Shqipëri.

“Kam qenë këtu shumë herë, për gjatë gjithë këtyre viteve. Herën e parë që kam ardhur ka qenë viti 1993. Që prej asaj periudhe në Shqipëri ka pasur shumë ndryshime pozitive. Shqipëria është një anëtare krenare e NATO-s. Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëria janë një dhe aleatë të ngushtë, por nuk ka qenë e lehtë për t’u arritur. Kanë qenë të shumtë ata të cilët kanë shtruar rrugën në mënyrë që ne të jetojmë në një vend të lirë, në një vend demokratik. Dhe një nga ata njerëz është Azem Hajdari. z. Hajdari së bashku me persona të tjerë, kanë dhënë jetën e tyre në mënyrë që Shqipëria të jetë e lirë. Ai nuk shqetësohej për veten, por shqetësohej për popullin e tij dhe për vendin e tij. Për këtë arsye ky memorial që ndodhet këtu për ta përkujtuar nderimin e tij është shumë i përshtatshëm”, tha kongresmeni Eliot Engël pranë memorialit të Azem Hajdarit.

Ai shtoi më tej se Azem handari ishte personi që udhëhoqi rininë shqiptare, një prej lëvizjeve më të mëdha, e cila sinjalizoi fundin e diktaturës komuniste në Shqipëri, e cila solli lirinë dhe demokracinë këtu.

“Liria nuk vjen lehtësisht, tha Engël, për demokracinë, tha ai, duhet punuar në mënyrë të vazhdueshme në mënyrë që të funksionojë. Por kjo është duke ndodhur këtu në Shqipëri. Për këtë arsye SHBA e sheh Shqipërinë si një nga aleatët, miqtë më të afërt tanë.

“Kam pasur mundësi ta njoh popullin shqiptar dhe ta dua popullin shqiptar. Punoj ngushtësisht me diasporën në SHBA. Ka pasur shumë patriotë që e kanë bërë të mundur që liria dhe demokracia të jenë këtu. Nderojmë kujtimin e Azem Hajdarit duke vendosur këtë buqetë lulesh në këtë memorial. Mbrëmë kam pasur nderin që të takohem sërish me zonjën Hajdari dhe sigurisht me vajzën e tij, Rudina Hajdari e cila ka punuar me mua në Kongres në SHBA. Ajo besoj se është një nga personat që unë besoj se do të jetë e ardhmja e Shqipërisë, sikurse disa prej të rinjve këtu që janë e ardhmja e Shqipërisë. Kështu që ne do të vazhdojmë të punojmë së bashku si SHBA dhe Shqipëri dhe kurrë nuk kemi për të harruar këta njerëz të cilët kanë dhënë jetën e tyre, në mënyrë që ne të jetojmë në këtë vend pa pasur frikën se policia do të vinte në këtë qoshe. Por nuk ka qenë gjithmonë kështu në Shqipëri. Është kjo gjendje tani në Shqipëri, për shkak të asaj që ka bërë z. Hajdari. Nuk do ta harrojmë kurrë dhe do ta kujtojmë gjithmonë dhe rroftë përgjithmonë liria në Shqipëri, rroftë demokracia në Shqipëri dhe miqësi të gjatë mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Dua gjithashtu të falënderoj z. Harry Bajraktari i cili erdhi në zyrën time dhe më tregoi gjithçka po ndodhte në Shqipëri dhe në Kosovë dhe i jam shumë mirënjohës. Gjithashtu i jam mirënjohës ambasadorit të SHBA në Shqipëri i cili punon fort për forcimin e marrëdhënieve mes SHBA dhe Shqipërisë. Unë do të vazhdoj të mbështes Shqipërinë”, tha kongresmeni Engël.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb