KOSOVË-  Anëtari i Dhomës Përfaqësuese të Kongresit të Shteteve të Bashkuara, Eliot Engel, sot ka mbajtur një fjalim para deputetëve në Kuvendin e Kosovës, në të cilin, përveç të tjerave, është shprehur edhe për çështjen e themelimit të Gjykatës Speciale për Krime të Luftës duke dhënë një deklaratë të fortë.

“Unë nuk besoj se Kombet e Bashkuara, veçanërisht janë korrekte, kur kemi të bëjmë me Kosovën. Besoj se do të ketë alternativë për Gjykatën Speciale nëse ajo nuk miratohet. Mendoj se do të jetë gjykatë e OKB-së dhe ky do të jetë problem i madh për Kosovën”, tha Engel, raporton Radio Evropa e Lirë.

Mëtutje ai ka theksuar se në punën e tij të çdoditshme në Uashington e ndihmon Kosovën duke biseduar me zyrtarë të lartë të shteteve, që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, duke kërkuar nga ata që ta bëjnë këtë.

Ai theksoi se Kosova është shtëpia e tij e dytë. “Kur vij në Kosovë më duket sikur jam në shtëpi. Kjo pasi kosovarët më duan shumë, duan të fotografohen ose thjeshtë të më prekin, sepse unë në njëfarë mënyre përfaqësoj Amerikën, demokracinë amerikane. Sa shumë që dëgjoja për dhunën agresionin në Kosovë aq më shumë dëshiroja të kontribuoja të luftoja për çështjen tuaj. Unë duhej të isha pjesë e zgjedhjeve në Kosovë në vitet ’90, si monitorues i zgjedhjeve, por më ndaluan në kufi dhe nuk më lejuan të hyj. Prandaj, dhashë një komunikatë për shtyp nga kufiri, ku shpjegova që Millosheviçi nuk po më lejonte hyrjen në Kosovë. Përmes saj unë iu drejtova atij duke i thënë se megjithëse nuk po më lejohet hyrja, një ditë Kosova do të jetë një vend i lirë dhe i pavarur. Dhe atëherë ty nuk do të të lejohet hyrja në të. Atëherë tingëllonte si tallje, por nuk ishte e tillë”, tha Engel.

Më tej ai deklaroi se SHBA gjithmonë do ta mbështesë popullin e Kosovës. “E them nga thellësia e zemrës se e dua popullin e Kosovës dhe premtoj se deri sa të jemë në këtë funksion do të mundohem të ndihmoj sa më shumë që mundem”, ka thënë Engel.

 

(m.k/BalkanWeb)

 

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: