Vepra shumëdimensionale e gjithëpërfshirëse e Tony Kushner, “Engjëjt e Amerikës”, u shfaq premierë këtë të shtunë për publikun e kryeqytetit në Arturbina.

Kjo vepër me karakter provokativ, është një projekt i vjetër i regjisorit Arben Kumbaro, të cilën kishte hezituar ta sillte para publikut shqiptar. Në shfaqje flitet për dashurinë, seksin, për homoseksualetin, fenë, për politikën, për Zotin, për të ndryshmit nga ne, për kuptimin e jetës.

Nën interpretimin e aktoreve Genti Deçka, Laert Vasili, Luiza Xhuvani, Helidon Fino premiera u mirëprit nga publiku kryeqytetas. Ngjarjet zhvillohen kryesisht në New York në vitet ‘90, koha e Presidentit Regan. Kjo është koha kur ndodhi dhe ngjarja më e madhe e epokës sonë: rënia e murit të Berlinit. Shoqëria njerëzore u vu në kërkim të “Armikut të Ri” duke e gjetur atë tek të ndryshmit e saj, nga përkatësia racore, fetare, kulturore apo prirjet seksuale.

“Engjëjt e Amerikës” është cilësuar si një nga kryeveprat e dramaturgjisë bashkëkohore nga Anthony Kushner dhe është fituese e disa çmimeve të rëndësishme. Autori ka marrë medaljen e artë nga ish-Presidenti Obama në vitin 2013 dhe është një nga personalitet më të mëdha të letërsisë dhe dramaturgjisë amerikane. Shfaqja “Engjëjt e Amerikës” do vihet në skenën e teatrit kombëtar ArTurbina edhe këtë të diel.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb