TIRANE

Vepra teatrore “Historia e kopshtit zoologjik” e autorit Edward Albee është premiera që do të shfaqet këtë fundjave në Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”.

Nën regjinë e Eni Janit, vepra trajton tema sociale me mesazhe mjaft aktuale që nga toleranca, edukimi i fëmijëve dhe deri tek mos komunikimi midis individëve në shoqëri, që është dhe mesazhi kryesor i kësaj shfaqjeje, fenomen ky universal.

Shfaqja do të ngjitet në skenë përmes dy personazheve që interpretohen nga aktorët Genci Fuga si Piter dhe Kristian Koroveshi si Xherri. Në thelb të saj kjo vepër trajton komunikimin ndërmjet njerëzve, si aspektin më të rëndësishëm të civilizimit.

Në një intervistë për emisionin ‘Chic’ të Fjodora Dorës në News 24 regjisorja Eni Jani shpjegon arsyet se përse zgjodhi këtë vepër për ta sjellë në skenë, por edhe zbulon detaje më shumë rreth kësaj shfaqje.

“Këtë vepër e kam lexuar shumë herët që kur isha studente dhe kjo më ka goditur që herën e parë. Regjisurën e dua shumë edhe pse kërkon më tepër impenjim. Do t’i përkushtohem më shumë tani por kjo nuk do të thotë se do të heq dorë nga aktrimi. Edhe pse është një vepër e vogël dhe shkon rreth 70 minuta por përmbajtja e saj, thelbi dhe dialogjet që edhe pse janë të pakta, flasin shumë. Që në momentin e parë më ka dhënë përshtypje sikur dy aktorët që do të interpretonin do të ishin një pasqyrë, ku publiku do reflektohej përballë saj. Edhe pse vepra është vendosur në vitin 1958 ajo trajton një temë universale atë të moskomunikimit me njëri-tjetrin. Çdo kohë ka pasur diçka të vetën që e ka penguar këtë komunikim njerëzor”, tregon Eni Jani.

Një nga personazhet e kësaj shfaqje Piter interpretohet nga bashkëshorti i regjisores, Genci Fuga.

E pyetur nga gazetarja Fjodora Fjora se sa hall është të ndërtoni një shfaqje bashkë dhe të shkoni në shtëpi e të vazhdoni të flisni sërish për punën Eni Jani u përgjigj se nuk është hall por është një gjë shumë e bukur.

“Jo nuk është hall përkundrazi është një gjë e bukur sepse përplasja e mendimeve sidomos kur je në të njëjtin profesion të ndihmon shumë , bisedojmë dhe kuptohemi shumë mirë por ka edhe momente që ai ndërhyn dhe unë i them me të qeshur ‘stop’ se jam unë regjisorja.
Genci është një aktor tepër inteligjent, nuk po flas si bashkëshorte. Rolet e bukura bëhen ose zbërthehen edhe me inteligjencën e gjithë secilit si aktor. Genci është nga aktor që e përdor me shumë zgjuarsi mënyrën e zbërthimit të çdo karakteri që i vjen në dorë. Gencin e kam parë shpesh në komedi por këtu nuk është rol i tillë. Kjo gjë më pëlqen sepse është ndryshe nga rolet e mëparshme”, tha Jani.

(er.cu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb