Gazetarja e njohur, moderatorja e emisionit “Studio e Hapur” në News24 Eni Vasili ka folur për punën e saj dhe garën mes kolegëve në studio të ndryshme. Në një intervistë pë “Madame Mapo”, Vasili thotë se çdo emision i “Studio e hapur” është një produkt në interes të interesit publik, larg çdo kompromisi me politikën, larg çdo pazari në paradhoma kryeministrash apo ministrash, larg çdo konjukture që i bën emisionet, misione interesash personale.

Ajo shprehet se një gazetar duhet edhe të flasë, edhe të shkruajë dhe jo vetëm për hir të profesionit. “Për fat të keq shumë kolegë sot, paguhen që të mos flasin, të mos shkruajnë”, thotë Vasili.

Në një editorial ku shpjegoni pse e enjtja juaj do të jetë ndryshe, thoni se “Studio e hapur” kaloi pikërisht në ditën e enjte, ditë tashmë e një trendi kohëgjatë dedikuar emisioneve politikë, ju thoni se logoja juaj iu përgjigj interesit për zgjerimin e hapësirës, diktuar nga tregu dhe nga televizioni. Nëse nuk do kish pasur lëvizje le të themi mes sezoni, si ikja e Ballës në Vizion Plus dhe ajo e Rakipit nga News 24 në Top Channel, a do të kish pasur një zhvendosje në të enjten?

Fakti është se e enjtja është pranuar si dita më e përshtatshme për të reflektuar mbi ngjarjet politike të javës si nga televizionet ashtu edhe nga publiku, pikërisht në mbyllje edhe të seancës kryesore të kuvendit. Ekrani më i ndjekur i News24 dhe një logo e njohur si “Studio e hapur” treguan se mund ta kthejnë të enjten e bisedave dhe opinioneve rreth ngjarjeve politike në një pikëtakim të rëndësishëm mediatik, ku paneli i zgjedhur dhe temat interesante bëjnë që të ulin para televizorit një audiencë të madhe.

Kolegët që përmendët nuk mendoj se në ndonjë lloj mënyre ndikuan të krijonin këtë kohezion për realizimin e emisionit tim në vendin dhe kohën e duhur. Suksesi i “Studio e hapur” nuk varet nga lirimi apo shtrëngimi i hapësirave të minutazhit në televizionat e tjera, as rastësisë, por vetëm nga përkushtimi dhe profesionalizmi, këtë e tregon fakti që jemi plot 13 vite në treg.

-A keni synuar ndonjëherë, gjatë karrierës suaj si gazetare televizive apo qysh prej krijimit të “Studio e Hapur” të ishit në prime time të enjteve? A i keni bërë përpjekjet tuaja në këtë aspekt?
Asnjëherë nuk kam menduar që duke arritur “prime time” në një ditë të caktuar, qoftë edhe të enjten, do të ishte e barazvlefshme me kulmin e karrierës sime. Në gazetari ndodh që suksesi perceptohet në mënyra të ndryshme: ka nga ata që e quajnë sukses të arrish më lart se të tjerët, po ka dhe të tjerë që e quajnë sukses kur puna e tyre arrin të lërë gjurmë, të ndikojë në opinion dhe të japë mesazhe të qarta në informimin e publikut. Unë i përkas këtyre të fundit, sepse çdo emision i “Studio e hapur” është një produkt në interes të interesit publik, larg çdo kompromisi me politikën, larg çdo pazari në paradhoma kryeministrash apo ministrash, larg çdo konjukture që i bën emisionet, misione interesash personale.
eni3
-Në garën e së enjtes ju keni përmendur emisionin e Fevziut “Opinion” si ai që e indukton e më pas keni rrëfyer edhe një episod nga e kaluara në TV Klan , ku emisionet tuaja ishin “ndeshur” le të themi. A kishte shenja gare atëherë? Si e pritët ju ardhjen e Fevziut në Klan asokohe e si kishte qenë më herët marrëdhënia prej kolegësh edhe më herët në RTSh?
Në fakt tituj e portaleve u mbushën me nënkuptime rivaliteti me Fevziun,dhe e mirekuptoj luftën e kolegëve per klikime, por në fakt me atë tregim po kujtoja thjesht një moment profesional. Nuk mund të kishte asnje shenjë gare sepse Blendi ishte i afirmuar si gazetar dhe unë vetëm në hapat e parë. Blendi erdhi në Klan asokohe në momentin që unë po largohesha pasi kisha patur një ofertë nga një televizion tjetër dhe nuk pata mundësi të ndanim një kohë profesionale të përbshkët në Klan.Por në vite mardhëniet tona kanë qene shumë korrekte dhe profesionale edhe pse kush ben punën tonë e di sa pak kohë ngelet per të frekuentuar miqtë apo kolegët.
en7
-Ju përmendni kolegët e emisioneve të së enjteve, që megjithëse duket e dominuar nga burrat, ju dhe kolege të tjera keni drejtuar formate të njëjta emisionesh, duhet thënë se edhe pse ditë të martë “Studio e hapur” ka qenë ajo e një format hard talk? Konkurrenca ka qenë gjithnjë tek e enjtja? Pak rëndësi ditët e tjera, por dominimi shihet kush kryeson të enjten?
Të them të drejtën kalendari im tani për tani nuk përbëhet nga ditët e javës, por nga ditët kur kam emision. Në këtë këndvështrim të trija ditët e emisionit për mua janë ditë të veçanta, që fillojnë nga mëngjesi herët me komunikime të stafit, pjesëmarrësve në panel dhe përgatitje intensive që vazhdojnë deri pak minuta para se të shfaqen titrat. Sigurisht që e enjtja është dita më e ngarkuar dhe emisioni më i rëndësishëm me temën kryesore të javës ndoshta, por shpesh ndodh që dhe e hëna, e marta të jenë po aq interesante. Kemi patur tema aktuale, intervista ekskluzive apo debate shumë interesante që nuk mund të përcaktohen vetëm për të enjte. Ndoshta edhe kolegët në televizionet e tjera zgjedhin ta përqëndrojnë debatin kryesor të enjte dhe sigurisht që dominimi i kësaj dite është i rëndësishëm, por ndryshe nga shumë emisione të tjera “Studio e hapur” është më tepër në garë me cilësinë e emisionit pavarësisht ditës së javës.

-Si ndiheni si një grua në garën “mashkullore” të së enjtes? A ndihej presioni i garës? Si ishin statistikat e audiencës pas emisionit të parë të së enjtes, ku patët të ftuar kreun e Opozitës Lulzim Basha?
Është e vërtetë që në garë, po ta quajmë kështu, pjesëmarrësit më të shumtë janë meshkuj dhe kjo për fat të keq në shoqërinë tonë ndodh në çdo garë, jo vetëm në fushën e medias. Por mendoj se femrat janë po aq të zonjat për të menaxhuar një panel ku diskutohet për çfarëdo lloj teme, madje në shumë raste janë më korrekte në raport me ekulibrin e palëve dhe më mendjehapura në trajtimin e debateve, duke iu dhënë mundësi të barabarta pjesëmarrësve e ndoshta duke i trajtuar me më tepër respekt mendimet e gjithsecilit. “Presioni i kësaj gare” për mua kthehet gjithmonë në një shtysë pozitive, pavarësisht se çfarë tema dhe panel kanë zgjedhur kolegët e ekraneve të tjera. Për hir të së vërtetës emisioni “Studio e hapur” është më koherent me aktualitetin përsa i takon trajtimit të temave dhe paneli i ftuar ka patur në përbërje shumë politikanë të njohur, profesionistë të fushave dhe opinionistë që e bëjnë debatin gjithmonë interesant. E enjtja e parë, ku kishim të ftuar liderin e opozitës z. Lulzim Basha ishte njëkohësisht edhe dita kur grafiku i shifrave të audiencës kaloi pritshmëritë, për të vazhduar më tej vazhdimisht me ngritje.

A kemi një konsensus mbi matësit e audiencave dhe besueshmërinë e tyre?
Personalisht mendoj që nuk e pasqyrojnë realitetin televizv.

-Ka të bëjë me gjininë dominimi i tregut apo me traditën e emisionit, jetëgjatësinë, logon dhe staturën e gazetarit?
Nëse synon që gjatë minutazhit të emisionit të arrish të tërheqësh maksimumin e audiencës nga konkurentët e tjerë, sigurisht që duhet të përputhen disa elementë, si: cilësia e emisionit, e cila është rezultat i mënyrës si menaxhohet nga moderatori, brandit që ka krijuar emisioni në vite, përzgjedhja e temave, paneli i të ftuarve, skenografia, regjia, detajet teknike etj. Po aq i rëndësishëm pa dyshim është televizioni ku shfaqet, sepse vetë televizioni ka krijuar emrin e tij dhe ka audiencën e përhershme.

-Ju flisni gjithashtu, në editorialin tuaj, për një treg të deformuar, për t’ju cituar saktë burro-politiko-personalo-biznesogazetaraske, ku më i “pëlqyeri” është ai gazetar gjobaxhi…
Po. Tregu mediatik është i deformuar dhe televizioni që sot për sot është media kryesore, është pjesë e këtij tregu të deformuar. Shumë emisione televizive “porositen” vetëm e vetëm për t’u bërë përçuesit e informacioneve të pavërteta që i shërbejnë grupimeve të caktuara politike ose bizneseve që shantazhojnë nëpërmjet ekraneve apo mediumeve të tjera për përfituar favore në kurriz të buxhetit që përfitohet nga taksapaguesit shqiptarë. Disa prej drejtuesve të emisioneve madje shfrytëzojnë pozicionet e tyre për të ndikuar në vendimmarrjet e institucioneve shtetërore ose drejtpërdrejt në mbushjen e xhepave të tyre. Gjithashtu përfaqësues të partive politike ushtrojnë presionin e tyre për të ndikuar rreth temave dhe përmbatjes së emisioneve apo panelit të të ftuarve. Kjo lidhet në mënyrë direkte me deformimin e tregut mediatik. Në të vërtetë kjo lidhet me të gjithë sistemin ku ne jetojnë e ushtrojmë aktivitetin tonë.

-E keni fjalën për tregun e emisioneve politike apo shkon edhe më përtej? Deklaratat tuaja e bëjnë panoramën e gazetarisë shumë të zezë. Në këtë tablo, si do ia dilni ju ta ruani gazetarinë, emisionin dhe punën tuaj larg këtyre kompromiseve me politikën apo larg qokave ?
E kam fjalën për emisione të ndryshme: sportive, kulturore, sociale etj, por kryesisht për ato me përmbajtje politike. Në fakt këtë panoramë të zymtë nuk e bëjnë deklaratat e mia, por është ashtu siç duket. Nëse në shumë fusha ku konkurueshmëria është thelbësore për mbarëvajtjen e shoqërisë, siç është p.sh. biznesi, sporti apo artet, atëherë konkurenca e ndershme për median është jetike. Kjo, për vetë fuqinë që ka për të transmetuar tek audienca informacione që mund të ndryshojnë jo vetëm të përditshmen tonë, por edhe të ardhmen. Kjo është beteja që çdo shqiptar i ndershëm bën përditë, në çdo profesion që ai ushtron. Betejë për të fituar atë që meriton, në vend të atij tjetrit që ndërhyn me anë të lloj lloj lidhjeve dhe mënyrave korruptive për të të mënjanuar. A do t’ia dalim? Them se po. Shoqëria shqiptare do të dijë t’i bëjë ballë këtyre betejave dhe jam e bindur që edhe gazetarët profesionistë dhe të pa nënshtruar nga presionet e shumta, do të arrijnë të qëndrojnë larg kompromisit me të keqen. Dua ta mbyll këtë përgjigje me një citim shumë domethënës të Joseph Pulitzer: “Republika jonë dhe media e saj do të ngrihen ose do të bien së bashku“. Një media e aftë, pa interesa dhe në shërbim të publikut, me inteligjencë të trajnuar për të njohur të drejtën dhe guximin për ta bërë atë, mund ta ruajë atë virtyt publik pa të cilin qeveria është një turp dhe një mizeri. Një shtyp cinik, mercenar dhe demagogjik do të prodhojë me kohë një popull njësoj si veten. Fuqia për të formuar të ardhmen e Republikës do të jetë në duart e gazetarëve të gjeneratave të ardhshme”.

-Ishte evidentim apo denoncim në një farë mënyre editoriali juaj? Në këtë realitet kompromisesh, interesash, gjobash, tenderësh që ju përmendni, si ia dilni ta ruani veten dhe profesionalizmin? Si i keni bërë ballë presionit? Si mund të shpëtohet gazetaria dhe gazetari sipas jush?
Nëse ka ndonjë që i evidenton i pari problematikat e ndryshme në çfarëdo lloj shoqërie, është gazetari. Por një gazetar duhet edhe të flasë, edhe të shkruajë dhe jo vetëm për hir të profesionit. Për fat të keq shumë kolegë sot, paguhen që të mos flasin, të mos shkruajnë. Dhe duke mos kryer misionin e tyre ata janë bashkëfajtorë në paraqitjen e rreme të një realiteti që na rrethon çdo ditë. Nëse një gazetar paguhet mirë që të mos shkruajë një aferë që ka zbuluar, sepse shefi i tij ka fituar një tender, kjo është shumë më tepër se një kompromis afatshkurtër që i sjell atij disa të ardhura për të kaluar muajin. Ç’do të bëhet me profesionin e tij, me fondet që duhet të shkonin për të përmirësuar jetën e qytetarëve, të fëmijëve të atij vetë? Një kompromis që bën sot në kurriz të të ardhmes, krijon premisat për shkatërrimin e atyre vlerave që me aq mund po kërkojmë të krijojmë si një shoqëri demokratike. Është e vërtetë që shumë prej gazetarëve gjenden përballë presioneve të mëdha, por duhet parë përtej këtij momenti kur mund të ndjehesh i dobët. Nëse ke marrë përsipër një mision si ai i gazetarit duhet t’i thuash jo kompromiseve, përndryshe je thjesht një vegël në duart e atyre që po vjedhin të ardhmen e këtij vendi.

-Ç’do të thotë të jesh thjesht emision i publikut- a nuk targetojnë interesin publik emisionet e tjerë dhe nga ndryshon “Studio e Hapur” nga emisionet simotra të së enjtes, por jo vetëm?
Kur ke përpara një listë me temat e mundshme që mund të trajtosh, mund të përzgjedhësh sipas disa kritereve për të vendosur cila do të ishte tema e duhur për sot. Nëse si kriter kryesor ke interesin e një force politike, apo një grupi të caktuar interesi për të përzgjedhur temën, po i shërben dikujt dhe vetëm kaq. Por nëse si kriter kryesor ke interesin e publikut për të zbardhur më tepër rreth një çështje të caktuar, për të mësuar të reja që duhen thënë, atëherë emisioni bëhet i publikut, dhe “Studio e hapur” ka gjithmonë kriter kryesor përzgjedhje interesin e publikut. Pikërisht ky është edhe një prej dallimeve kryesore të emisionit tim.

-Kamerat në studio janë mirë për formatet hard talk, por jo gjithmonë suksesi është i arritshëm. Mendoni se kamerat jashtë studios janë pika e dobët jo e vetëm e emisioneve por edhe e gazetarisë sonë?
News24 është televizioni me më tepër kamera në terren dhe sjell minutazhin më të madh që transmetohet jashtë studios, jo vetëm nga institucionet që janë në qendër të kryeqytetit, por edhe në skajet më të largëta në Shqipëri. Formati i emisionit është i tillë që kryesisht kamerat ndodhen në studio pasi çdo emision transmetohet live, ndërsa nuk kemi asnjë vështirësi për të mbuluar insertet e ndryshme apo kronika të shkurtra plotësuese, në varësi të temës. Ndoshta gazetarët në përgjithësi, apo edhe emisionet e tjera kanë mbetur shumë brenda studiove, por kjo varet nga këndvështrimi i redaksive.

-A keni marrë mesazhe urimi nga kolegët me të cilët ndesheni të enjten tanimë?
Nuk mendoj se ka ndonjë arsye të marr urime pse emisioni im shtohet me një ditë më shumë qoftë edhe të enjten. Më shumë kam marrë preokupime nga familjarët e mi për mënyren se si do ta përballoj këtë ngarkesë.

-Tashmë beteja e së enjtes është bërë shumë e fortë. Por nga ana tjetër emisionet e saj janë fragmentarizuar. Mendoni se në fund të sezonit do te kemi dorëzimin e ndonjë kolegu pas kësaj gare të ashpër?
Nuk e di se çfarë do të vendosin kolegët e mi, por ajo që mund të them me siguri është se emisioni “Studio e hapur” po ec në rrugën e duhur dhe duke shtuar edhe ditën e enjte, mund t’ju them se audienca që na ndjek është në rritje të vazhdueshme nga java në javë. /MADAM MAPO/

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: