ITALI

Kompozitori i famshëm italian Ennio Morricone ka festuar dje 90 vjetorin e lindjes.

I lindur në Romë më 10 nëntor 1928, në një familje muzikanti, ai spikati që në vogëli për talentin e tij në muzikë. Ishte vetëm 12-vjeçar kur u regjistrua në konservatorin e muzikës në një program 4-vjeçar, të cilin e përfundoi në vetëm 6 muaj.

U diplomua më 1946 në trumpetë me udhëheqës të famshmin Goffredo Petrassi, i cili do të bëhej edhe udhëheqësi e frymëzuesi i tij muzikor.

Studimet i përfundon në Konservatorin e Santa Cecilia në vitin 1954, ku mori Diplomë në Kompozicion me një vlerësim të lartë: 9.5/10.

Kompozimet e para i filloi që në moshën 6-vjeçare. Deri më sot ai ka kompozuar më shumë se 500 melodi të pavdekshme për kinema dhe televizion.

I konfirmuar me një yll në “Walk of Fame” në Los Angeles, dhe me çmimin Oskar për karrierën në vitin 2007, Morricone ka dhe një mori çmimesh që shenjojnë karrierën e tij.

Pavarësisht nga qindra rezultate që kanë bërë epokë, partneriteti me Sergio Leone do të ishte simboli ideal për kinemanë e Morricone-s.

Eastwood nuk do të kishte ekzistuar pa Sergio Leone-n dhe Morricone-n. Dhe muzikanti kishte gjetur tek aktori, simbolin e parë të muzikës së tij të dashur në të gjithë botën.

Muzika e Morricone-s gjithmonë ka pasur një ndikim kryq, që “infektoi” gjenerata të ndryshme dhe ka siguruar famë përtej kinemasë me më shumë se 70 milionë regjistrime të shitura.

Morricone zbulon çdo herë aftësinë e tij si kompozitor bashkëkohor, krijues i epikës për publikun e gjerë, këngëtari nostalgjik i emocioneve sekrete.

Mjeshtri i madh në 2019 do të jetë sërish në një turne por ku e gjen gjithë këtë energji? Për Tgcom kompozitori përgjigjet: “Më pëlqen shumë të shkruaj. Është gjëja e vetme që di të bëj. Kur të festoj 100 vjetorin nuk e di se çdo bëj. Shpresoj që publiku të vazhdoj të më dojë. Cdo film ka një gjykim të ndryshëm. Ndoshta i ardhshmi mund të jetë një katastrofë për mua si kompozitor dhe ndoshta publiku mund të thotë kush është ky? Gjithmonë ka një provim’.

Mjeshtri tregon se e jeton qetësisht këtë qëllim të veçantë: ’Nuk kam asnjë keqardhje në jetë gjithçka ka shkuar mirë”.

(da.xha/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb