TIRANË


Ish-deputeti i PD Enno Bozdo i ftuar në rubrikën “Opinion” në “News 24” tha se vendi është në një situatë anormale. Bozdo u shpreh se Shqipëria sot është në situatë anormale, kriminale dhe ka një kryeministër anormal.


“Sot Shqipëria nuk është një vend normal. Nuk është vend normal as si një shtet ballkanik. Krimi ka marrë revansh në mënyrë të frikshme. Vendi është kthyer shumë vjet pas. Zgjedhjet janë vjedhur. Zyrtarë të lartë të PS kanë dalë në përgjime se bashkëpunojnë me grupet kriminale për të grabitur zgjedhjet e lira e të ndershme”, tha Bozdo.

Enno Bozdo thekson se nuk ka dy PD, siç mundohet të na thotë sot Rama, por Partia Demokratike është një dhe solide.


“Nuk ka dy PD, por Partia Demokratike është një dhe solide. Ata që kanë hyrë na parlament tani së fundmi nuk janë PD. Partia Demokratike është ajo që proteston sot kundër krimit dhe zgjedhjeve të vjedhura. Ne jemi në rrugë, bashkë me shumicën e popullsisë. Ne kemi djegur mandatet, kemi mbajtur protesta, 9 të tilla, të mëdha kundër kësaj keq-qeverisjeje. Pra, PD ka ushtruar presion kundër krimit në qeverisjeje. Rama ka marrë pushtetin total. Rama ka ngritur një sistem kriminal.

Vendi nuk ka Gjykatë Kushtetuese. Opozita sot është shumicë. Shqipëria nuk do të ketë ose Ramën kryeministër ose nuk do jetë PD. Por ta garantoj që Rama nuk do të jetë më kryeministër. Nuk ka zgjedhje të lira, nuk ka reformë zgjedhore me Ramën kryeministër, që ka ngritur këtë sistem grabitës e kriminal. Ne jemi me shqiptarët, jo me krimin. Kryeministri ka gjithë përgjegjësinë, nëse ai do që vendi të shkojë në konflikt social, është zgjedhje e tij”, tha Bozdo.

Ish-deputeti demokrat Enno Bozdo, duke folur për votimin e parlamentit holandez për të kthyer vizat për Shqipërinë, ai tha se ky votim vjen si shkak i kriminalitetit të shtuar, si rezultat i keqqeverisjes së këtij vendi nga Edi Rama.

“Problemi jemi vetë ne. Ky sistem ka prodhuar krim, drogë,  janë larguar 400 mijë vetë. Dy të tretat e popullatës nuk duan të jenë më këtu. Problemi qëndron te qeverisja jonë. Holanda thjesht mbron veten, kundër krimit që vjen nga Shqipëria, kundër vendit tonë, teksa shohin vendin që shkon keq e më keq. Ky nuk është problem i holandezëve, por i joni”, deklaroi Enno Bozdo.

(d.xh/ Balkanweb)