Enver Dugolli i Lëvizjes Vetëvendosje me eksperiencë të gjatë në çështjet e ushtrisë shprehet se koncepti shtet dhe ushtri janë të pandashëm dhe lëvizja Vetëvendosje në mënyrë të vazhdueshme ka deklaruar se duhet ta kemi ushtrinë jo vetëm për shkak të krenarisë, por për shkak të nevojës sepse aktualisht ushtria e Kosovës është thjesht në letër.

Në një intervistë për emisionin Diplomaticus në News24 në Tiranë, vetëm pak ditë përpara zgjedhjeve parlamentare të 6 tetorit në Kosovë, Dugolli deklaron për gazetarin Erion Kaçorri se ushtria do të ketë vëmendjen maksimale të qeverisë Kurti që sipas tij do të jetë fitues i zgjedhjeve.

“Ne i bëmë disa ndryshime ligjore duke i dhënë mandat ligjor për mbrojtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial. Ne synojmë që së pari ta bëjmë funksionale këtë forcë të sigurisë dhe funksionalizimi bëhet me investime. Investimin në ushtri duhet ta kemi prioritet. Qeveria Kurti do të investojë në mbrojtje dhe siguri sepse nuk është luks, por nevojë për më tepër kur kemi një fqinj si Serbia e cila armatoset çdo ditë, investon shumë në pajisje dhe armatim me qëllime ofensive. Ne nuk mund rrimë duarkryq në të gjithë këtë situatë.
I pyetur nëse është e vërtetë që ai synon kthimin e shërbimit ushtarak Dugolli shprehet se në mandatin e parë qeverisës do të hapim mundësinë që ekipet e ekspertëve të fillojnë të përgatisin planet për shërbimin e detyrueshem ushtarak për shkak se ne konsiderojme se një kombinim i shërbimit ushtarak profesional dhe i detyrueshëm do të ishte adekuat për mbrojtjen e Kosovës. Ne kemi një armatë të tërë të rinjsh dhe sipas hulumtimeve që janë bërë me herët të gjithë të rinjtë e kanë dëshirën të shërbejnë në ushtrine e Kosovës. Sipas Dugollit vullneti dhe përkushtimi i gjithë aktivitësve të lëvizjes Vetëvendosje me dekada të tëra për ndërtimin e një shoqërie të drejtë, të barabartë dhe jo diskriminuese ka qënë gjithmonë motiv i një punë të madhe që është bërë dhe tani erdhi dita që më në fund shoqërisë në përgjithësi në Kosovë dhe shtetit të Kosovës t’i kthehet dinjiteti i nëpërkëmbur që prej 20 vitesh. Kjo nuk është utopi, por është program dhe vizion i lëvizjes Vetëvendosje e cila do e realizojë me patjetër me qeverinë Kurti”, deklaron Enver Dugolli nga lëvizja Vetevendosje.

“Në të gjitha aspektet zhvillimore të një shoqërie që është dashur të ishte shembull askush nuk është i kënaqur. Nuk është i kënaur punëtori, nuk është polici, nuk është ushtari nuk është mjeku. Vetëvendosje do e kthejë shpresën për qytetarin sepse do të ndalim të keqen. Degradimin që e kanë sjellë prej 20 vitesh këta politikanë ne do e ndalim për t’i dhënë më pas drejtimin në krahun e duhur duke ndërtuar premisat e një shteti të barabartë dhe të drejtë. Të rinjtë në Kosovë kanë filluar të humbin shpresën duke planifikuar një jetë jashtë Kosoves. Kjo është shumë e dhimbshme”, deklaron Z. Dugolli për News24.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb