Historia e një qëndrestari të rrallë në burgjet komuniste. Si u fut në grevë urie në burgun e Burrelit dhe nuk pranoi ta ndërpresë edhe pas kërcënimeve të Kadri Hazbiut, por as pas lutjeve të Padër Mëshkallës dhe Gjergj Kokoshit…

Xhevat Korça, avokat e professor, ish Ministër i Arsimit, i dënuar në gjyqin special në vitin 1945 me burgim të përjetshëm, pasi ishte kërkuar për të dënimi me vdekje nga Bedri Spahiu, ka një prej historive më domethënëse të qëndresës antikomuniste. Jeta e tij pati fund tragjik, por ngjarjet e viteve të burgut dhe dëshmitë që vijnë për të nga ajo kohë, na japin sot, leksione të mëdha për qëndresën, idetë progresive dhe guximin.

Mes dëshmive të shumta të bashkëvuajtësve të tij, në qelitë e Burgut të Tiranës e më pas të burgut të Burrelit, do të veçojmë disa: një takim domethënës me Mehmet Shehun në Tiranë, përballjen me drejtorin e burgut të Burrelit kur nisi grevën e urisë, një debat të fortë më Kadri Hasbiun dhe momentet e ditëve të fundit të jetës, ndërsa shokët e vuajtjeve përpiqeshin ta bindnin që ai të mos e sakrifikonte veten me greve urie…

***

I mbyllur në kaush, në Burgun e Tiranës pas gjyqit special, Xhevat Korça u përball një ditë me Mehmet Shehun, me të cilin kishin shkëmbyer një bisedë në kufijtë e debatit politik. Sipas dëshmive të të burgosurve të pranishëm, Mehmet Shehu ishte futur në kaushin ku e mbanin të izoluar Xhevat Korçën dhe me qesëndi i kishte thënë: Eh more Xhevat Korça, u binde tani se ne luftuam për kauzën e drejtë, kurse ju e kishit gabim?

Pas kësaj pyetje, kishte nisur një replikë, ku Mehmet Shehu i drejtohej me “Xhevat” dhe ky i fundit me “zoti ministër”. Duke diskutuar për teoritë e marksizmit, Mehmet Shehu i ulur në krevatin portativ të të burgosurit, i impresionuar nga përgjigjet dhe argumentet e Xhevat Korçës, fillon t’i drejtohet “profesor”. Pas kësaj, edhe Xhevat Korça i drejtohet në emër “Mehmet”.

Të gjithë të burgosurit e pranishëm, por edhe shoqëruesit e Mehmet Shehut, po ndiqnin me interes debatin teorik mes të dyve. Më tej, diskutimi ishte shtrirë në fushën e zbatimit të revolucionit të Tetorit, në Bashkimin Sovjetik. Pasi Mehmet Shehu e kishte dëgjuar me kujdes, kishte pyetur: “Po ti profesor, si e njihke kaq mirë Revolucionin e Tetorit?”

Shehu shtangu kur dëgjoi përgjigjen e Xhevat Korçës: “E ke lexuar ti Mehmet, librin “Dhjetë ditë që tronditën botën”, të John Reed-it? E pra, dije se unë e kam përkthyer.

Atëherë Mehmet Shehu i kishte thënë: “…duke e njohur kaq mirë teorinë komuniste, si u gabove e nuk u bëre me ne?”

Atëherë, Xhevat Korça ia kishte kthyer: “Pikërisht, ngaqë e njoh kaq mirë teorinë dhe zbatimin në Rusi të kësaj teorie, u bëra antikomunist i vendosur!”

Kjo përgjigje e kishte xhindosur Mehmet Shehun, i cili, sipas dëshmive, ishte ngritur vrik nga shtrati portativ, i kishte hedhur një vështrim hakërrues profesorit të burgosur dhe ishte larguar pa thënë asnjë fjalë.

***

12 vjet më vonë, një tjetër përballje do të nxirrte në pah vlerat më të larta njerëzore e intelektuale të Xhevat Korçës. Ai ndodhej i izoluar në burgun e Burrelit. Pasi ja kishin kthyer dënimin me vdekje në dënim të përjetshëm, ai vijonte me qëndrimin e tij të paepur edhe në qelitë e Burrelit.

Kushtet aty ishin çnjerëzore, uria e tmerrshme, dhe kujdesi mjekësor pothuajse zero. Një ditë, Xhevat Korça i drejtohet prerë drejtorit të burgut, duke i kërkuar të ndërhynte menjëherë, për për të përmirësuar kushtet dhe për të plotësuar të drejtat themelore të të burgosurve, e nëse nuk do i përmirësonin kushtet, ai do të vetëflijohej duke filluar grevën e urisë.

Dy ditë më vonë, ndërsa bashkëshortja me djalin e tij, me pak ushqime me vete, prisnin ta takonin Xhevatin, gardianët e njoftojnë drejtorin e burgut për ardhjen e tyre, por edhe që i burgosuri kishte nisur grevën e urisë.

Drejtori i burgut kishte shkuar tek i burgosuri dhe e kishte kërcënuar t’i jepte fund grevës që kishte nisur. Por Xhevat Korça i ishte përgjigjur se nuk lëkundej nga vendimi që kishte marrë. “Ju kam thënë se do t’ju kundërvihem me grevën e urisë. Kjo është e vetmja armë që kam dhe nuk heq dorë. Por lërmëni t’i takoj për herë të fundit gruan dhe djalin tim”, i kishte thënë ai.

Drejtori i burgut, duke menduar se do ta thyente, nuk e lejoi të takonte familjarët, duke shpresuar se të nesërmen Korça do të tërhiqej nga vendimi që kishte marrë. Por ai nuk u tërhoq as të nesërmen, e as më vonë.

Dy ditë pas nisjes së grevës, drejtori i burgut të Burrelit kishte njoftuar për ngjarjen e pazakontë drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve dhe Ministrinë e Brendshme.

Menjëherë pas kësaj, në Burrel, mbërrin me urgjencë Kadri Hazbiu, i cili urdhëron që t’i sjellin në drejtorinë e burgut të burgosurin rebel.

Sipas dëshmisë së avokatit Xhevdet Kapshtica dhe Reis Hashos, të dy bashkëvuajtës në të njëjtën qeli me Xhevat Korçën, në fillim Kadri Hasbiu ishte përpjekur me të mira e premtime për t’ia ndërshuar mendjen por më vonë, kur e kishte parë që Xhevat Korça nuk lëshonte pe, kishte nisur nga presionet e kërcënimet. Pasi e kishte dëgjuar deri në fund, Xhevat Korça i kishte thënë ”dëgjo këtu more Kadri Hasbiu. Ti e ke kot që mundohesh të më thyesh me presione. Unë me vendimin që kam marrë, nuk jam më në mes të të gjallëve, e si pasojë, as që ekziston për mua, as ti e as Enver Hoxha! E di si më duket mua tani Enver Hoxha? I vooogël…” dhe duke afruar gishtin tregues me gishtin e madh, sa gati i puthiti, i thotë: “ja kaq të vogël e shikoj unë tani Enver Hoxhën! Por ki mendjen, se pikërisht ty, ai ka për të ta hequr kokën nga trupi!”

***

Kujtimet e hidhura të ditëve të fundit të jetës së tij i sjell avokat Xhevdet Kapshtica, i cili ndodhej në një dhomë me të, ndërsa ai vazhdonte grevën e urisë… Shokët e burgut u përpoqën me të gjitha mënyrat ta detyronin të tërhiqej nga një vendim i tillë… Dikush kujton, kur caktuan at Pjetër Meshkallën, si njeri me shumë autoritet dhe respekt.

Për ta bindur atë të ndërpresë vetëvrasjen… Ati i afrohet, ulet në gjunjë, mbasi dysheku ishte përtokë dhe i drejtohet me fjalët: -Xhevat, të lutem mos e humb shpirtin… Hiq dorë! – Por përgjigjja me zë të ulët ishte e prerë: -Padre, kam kujtuar se të kam patur mik, nuk ma merrte mendja që tani, ndërsa unë vazhdoj rrugën e nisur që mos të bëhem lodër e komunistëve, ti kërkon të më thyesh! Atit i rrodhën dy pika lot. E puthi dhe u largua.

Një tjetër dëshmitar kujton: “E përsëritën këtë provë me ish-Ministrin e Arsimit Gjergj Kokoshin… Në fakt, Xhevat Korça nuk fliste me të, pasi i kishte prerë relatat që kur ai ishte lidhur me Lëvizjen Nacionalçlirimtare dhe Xhevati e konsideronte si komunist… Prandaj, miqtë i kërkuan që të shkonte për t’ia kthyer mendjen, duke gjykuar se vajtja e Gjergj Kokoshit do të merrej si një kthesë nga kursi i mëparshëm, gjë që mund ta bënte të ndërpriste grevën e urisë.

Dhe dëshmitarët tregojnë se si Kokoshi i afrohet dyshekut, ulet në gjunjë, i jep dorën dhe ndërsa të tjerët prisnin se ç’mund t’i thoshte për ta bindur, ai i drejtohet me këto fjalë: -Xhevat, ti po e mbyll jetën tënde me kapak floriri… Hallall të qoftë, se po bën atë që ne s’e bëjmë dot! Me lot në sy, edhe ai largohet, për ta lënë Xhevat Korçën të vdiste disa ditë pas asaj greve urie.

Të dhënat e këtij shkrimi i referohen librit “Dosjet e diktaturës” të studiuesit Pjetër Pepa, kujtimeve të ish të burgosurve politikë, avokatit Xhevdet Kapshtica dhe Reis Hashos, si dhe shkrimit studimor “Xhevat Korça, fundi i një korifeu” i Prenjo Imerajt. / kujto.al

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb