Nga DRITAN HILA*

Kur në prill të vitit 1941 Mbretëria Jugosllave po hidhte vickla dhe Musolini kishte ngecur në batakun e luftës greke, Hitleri urdhëroi ti hiqnin qafe bezdinë. Brenda një muaji Vermahtit, i hyri Ballkanit krye-fund, duke u dhënë mësim shteteve të gadishullit dhe aleatit pompoz italik se lufta ishte profesion serioz. Nga ai prill e deri në shtator të ’44-ës kur armatat e sovjetikut Tolbukhin vërshuan në gadishull, Rajhu i III la në përpjekje me guerilasit ballkanikë 24 mijë të vrarë dhe 12 mijë të humbur në luftim. Një pikë ujë krahasuar me 8 milionë ushtarë gjermanë dhe 12 milionë aleatë të vrarë në Luftën e Dytë Botërore.
Pasi kuptuan nga eksperiencat e para se lufta guerile nuk ishte efektive ushtarakisht as në prapavijat gjermane në Rusi ku partizanët numëronin afër një milionë, për aleatët vatra guerile do të shërbente më tepër si diversion psikologjik se luftarak. Në një zonë ku Bullgaria, Rumania dhe Hungaria ishin bashkuar me Boshtin, rezistenca jugosllave, shqiptare dhe greke, kishte simbolikë se nazistët asnjëherë nuk do të ishin të qetë në këtë rajon.
Në vend të parë në renditjen e guerilasve vendosen partizanët e Titos. Megjithëse shifra e ofruar në fund të luftës për 300 mijë dëshmorë ka doza të forta mitomanie, me gjasa është pranuar nga aleatët për shkaqe politike.
Në Shqipëri gjermanët patën mbi 2 mijë të rënë. Si gjithë humbjet në Ballkan, edhe kjo shifër është modeste. Por në raport me popullsitë respektive, rezultojnë më shumë gjermanë të vrarë nga partizanët shqiptarë se ata jugosllavë apo grekë. Ishte ky fakt që i bindi aleatët e mëdhenj të llogarisnin vendin tonë tek fitimtarët si për kontributin e dhënë në eliminimin e kundërshtarit, ashtu edhe në jetët njerëzore të humbura. Ishte ky rreshtim që nuk mundësoi copëtimin e vendit pas lufte. Nëse kujtojmë se Polonia e sotme ka gati gjysmën e sovranitetit mbi ish- territore gjermane ku shtrihej Prusia e dikurshme, se Hungaria u përgjysmua, Italia humbi Istrian, Japonia humbi ishujt Sahalin, Rumania humbi Besarabinë, se mbi 12 milionë gjermanë të pasluftës u zbuan nga trojet e tyre historike, Istria u shpopullua nga italianët, atëherë kuptojmë sa afër rrezikut ka qenë Shqipëria të pësonte fatin e saj të përhershëm të copëtimit. Është po ky fakt, që tregon sa kriminale dhe dritëshkurtër ishte politika e kuislingëve shqiptarë ku asgjë përveç fëlligështisë së tyre morale nuk e justifikonte aleancën me Italinë fashiste dhe Gjermaninë hitleriane; sa i papërgjegjshëm është ngulmimi i së djathtës së sotme për të ulur kontributin e gjakut të shqiptarëve dhe lotët e pisët për Kosovën e bashkuar me Shqipërinë nën suazën e Hitlerit, shfarosësit me plumb, litar, gaz, zjarr të 20 milionë rusëve, 6 milionë hebrenjve e miliona të pafajshmëve europianë, gjermanë përfshirë.
Tema e pashmangshme është figura e Enver Hoxhës gjatë dhe pas kësaj lufte. Padiskutim ka qenë figura qendrore e luftës dhe komandant i saj. Kush pretendon histori pa personazhe me siguri hyn tek ata që e kanë duartrokitur më fort, i kanë dashur vendin, apo mundohen ta mundin në të vdekur kur nuk mundën në të gjallë. Nuk funksionon as përpjekja e kujt rrinte në sallë dhe sot do të na bindi që salla ishte skena ku zhvillohej drama. Në gjithë kompleksitetin e tij, ka qenë i “yni”. Ka pasur edhe komandantë të tjerë të njësive luftarake në terren, por ishte ai më i madhi, “kondotieri” që përcaktonte objektivat politike dhe ushtarake, strategjitë, lidhte dhe zgjidhte aleancat, kishte vizionin kompleks të situatës. Pavarësisht se përfaqësonte një fraksion të vogël të popullsisë, kryesonte formacionin politik më të organizuar, me disiplinë të hekurt, objektiva të qarta, ideologji të kodifikuar. Kishte nuhatur trendin e kohës dhe dinte të ishte ndjellës për pjesën më vitale të popullsisë, rininë. Kjo i mundësoi zotërimin e gjithë frontit antifashist. Pasja përballë e kundërshtarëve të konsumuar nga koha, të pa organizuar, ngurrues për të hedhur në ruletën e fatit gjithçka, i solli fitoren, duke i çuar në arrati, ose shtyrë në krahët e pushtuesit, ç’ka nuk e kishin për herë të parë. Shfrytëzoi në synimin e tij gjithë mundësitë. Eliminimi i kundërshtarëve dhe konkurrentëve ishin objektiv legjitim për të. Qasja e sharmit dhe karizmës, apo ftohtësisë dhe prishjes së pakteve kur ja kërkonte interesi, ishin sjellje që nuk nguronte ti përdorte. Në fund të luftës, 32 vjet pas shpalljes së pavarësisë hyri në Tiranë si fitimtar. Për të ikur 40 vjet më vonë i pa mundur dhe nga Zoti të cilin e kishte sfiduar duke i prishur shtëpitë. La pas një popull të sfilitur, të cilit për rreshtimin me fitimtarët i kërkoi kamatë që do të habiste edhe Shajlokun. I mbeti besnik deri në fund shkollës që i siguroi mbijetesën: Stalinizmit. Duke e mpleksur me traditën vendase ku rregulli bazë është “më mirë të qajë nëna jote se imja” dhe humbësi ka si alternativë vetëm gropën. Ishte nxënësi më i mirë i gjeorgjianit në gjithë lindjen e kuqe, e në disa aspekte ja kaloi edhe themeluesit. La mbrapa një stil ku shumë kërkojnë ta imitojnë, por asnjëri nuk mbërrin dot në nivelin e gjenisë së tij, për pasjen e së cilës, diku e dikur pati bërë paktin me djallin.

(d.d/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: