Donald Trump rikthehet në krye të Shteteve të Bashkuara, duke nisur punën për ndërtimin e një kabineti që pritet të shprehë me forcë vizionin e tij si në politikën e brendshme ashtu edhe në atë të jashtme. Rikthimi i tij në pushtet pritet të sjellë një epokë të re polarizimi në politikën botërore, ku besnikëria e patjetërsueshme dhe konsolidimi i autoritetit do të jenë në thelbin e qasjes së tij. Në administratën e tij të re, Trump po zgjedh aleatë që e kanë treguar besnikërinë e tyre në mënyrë të pakushtëzuar. Ai është i zhgënjyer jo aq shumë nga kundërshtarët e tij demokratë, sesa nga ata që dikur ishin pjesë e rrethit të tij, por që më pas iu kthyen kundër, duke e cilësuar si “fashist.”

Nga administrata e tij e parë, disa nga kritikat më të ashpra erdhën nga vetë njerëzit që ai i kishte emëruar dhe që e kishin tradhtuar me fjalë dhe veprime. Tani, Trump ka vendosur të mos i përfshijë në kabinet emra të tillë si Mike Pompeo dhe Nikki Haley, figura të respektuara në radhët republikane, por që e kanë humbur besimin e tij. Pompeo hezitoi gjatë për të deklaruar mbështetjen e tij dhe Nikki Haley e kritikoi haptazi. Ky përjashtim publik është një mesazh i qartë: në këtë administratë, Trump nuk do të tolerojë asnjë formë devijimi. Kabineti i ri do të jetë i përqendruar rreth tij si një njësi e ngushtë dhe e unifikuar, e krijuar për t’u përballur pa asnjë mëdyshje me çdo sfidë që ai do të vendosë në rendin e ditës.

Administrata e dytë e Trump do të përfshijë, pa dyshim, elemente të populizmit, por ndoshta jo në masën që mund të pritet. Arsyeja? Rreth tij do të mblidhen miliarderë dhe CEO të fuqishëm, të interesuar për investimet e tyre dhe për mbrojtjen e biznesit të madh amerikan. Ata mund të mos identifikohen si globalistë me emër, por politikat që mbështesin përfshijnë të njëjtat elemente. Në frontin e politikës ndaj Kinës, gjërat bëhen intriguese. Nga njëra anë, Trump kërkon një distancim ekonomik nga Kina, duke promovuar tarifa më të larta dhe duke inkurajuar investime të reja në SHBA, një qasje që mund të çojë në një “Luftë të Ftohtë” të re ekonomike me Kinën. Robert Lighthizer, ish-përfaqësuesi i Tregtisë për Trump dhe një nga zbatuesit më të përkushtuar të kësaj linje, mund të jetë sërish në krye të kësaj strategjie, i përqendruar për krijimin e vendeve të reja të punës dhe për fuqizimin ekonomik të SHBA-së. Por, nga ana tjetër, kemi Elon Musk.

Me investime masive në Kinë dhe me një interes për të ruajtur një marrëdhënie më të qëndrueshme, Musk është në një pozicion unik për t’u bërë një ndërmjetës joformal mes SHBA-së dhe Kinës. Tani që Kissinger nuk është më, kemi Musk, i cili është i vetmi që synon ta luajë këtë rol, duke e vendosur veten si një urë komunikimi mes dy superfuqive të botës. I gjithë ky, mbetet një eksperiment i paprovuar, dhe mbetet për t’u parë nëse mund të ketë sukses.

Nga ana tjetër, politika e Trump ndaj Rusisë dhe Ukrainës mund të sjellë një ndryshim të rëndësishëm. Me premtimin e tij për një armëpushim të afërt, Trump po ushtron presion mbi Ukrainën dhe ka filluar të nxisë një klimë të përshtatshme për përfundimin e konfliktit. Ky qëndrim ka nxitur edhe vende të tjera si Hungaria dhe Sllovakia të mbështesin idenë e një zgjidhjeje të shpejtë, ndërsa vende si Italia pritet ta përshtatin pozicionin e tyre duke reflektuar qasjen e re të administratës Trump.

Në Lindjen e Mesme, Trump vazhdon të mbajë një pozicion të ashpër pro-Izrael dhe anti-Iran, duke i dhënë kësaj pjese të botës një rëndësi të madhe në strategjinë e tij. Ai ka treguar një prirje të qartë për të forcuar marrëdhëniet me Izraelin, duke krijuar një presion të shtuar ndaj Iranit, sidomos në kushtet e uljes së çmimeve të naftës që e bëjnë më pak të kushtueshme çdo ndërhyrje ushtarake në rajon. Në këtë kontekst, administrata Trump mund të rikthejë qëndrimet e saj agresive të mandatit të parë presidencial, duke e pozicionuar Amerikën në mbështetje të hapur për ndërhyrjet e Izraelit dhe të aleatëve të saj në rajon.

Për Evropën, kthimi i Trump paraqet një sfidë të madhe. Trump do të ushtrojë trysni për të arritur qëllimet e tij, të cilat janë të fokusuara në dy aspekte kyçe: krijimi i një zgjidhjeje të shpejtë për konfliktin Rusi-Ukrainë dhe përforcimin e pavarësisë strategjike të vendeve evropiane nga mbështetja amerikane, sidomos në aspektin financiar dhe të sigurisë. Në praktikë, Trump synon të shohë më pak angazhim ushtarak dhe ekonomik nga ana e SHBA-së në Evropë dhe dëshiron që vendet evropiane të rrisin kontributin e tyre në aleanca si NATO, duke i lejuar Amerikës që të fokusohet në interesat e saj të brendshme dhe sfidat me fuqitë e tjera të mëdha, si Kina. Trump e sheh përfundimin e konfliktit Rusi-Ukrainë si një mënyrë për të stabilizuar rajonin dhe për të krijuar një balancë të re fuqie që do t’i lejonte SHBA-së të reduktonte përfshirjen direkte. Nga ky pozicionim ai u bën thirrje vendeve evropiane që të jenë të gatshme të ndjekin linjën e SHBA-së në arritjen e një zgjidhjeje të shpejtë, duke e zhvendosur vëmendjen nga konfrontimet ushtarake drejt stabilizimit rajonal.

Ndërkohë, Bashkimi Evropian duhet të mbajë një front të bashkuar për të përballuar sfidat e reja që mund të shfaqen nga ndasitë brenda shteteve anëtare. Dilema kryesore qëndron nëse Evropa do të vazhdojë të ruajë unitetin apo do të përballet me një ndarje për shkak të influencës së politikave të reja amerikane. Ky proces mund të ketë pasoja të mëdha për strukturën e Bashkimit Evropian, veçanërisht për ato vende që kanë pasur një marrëdhënie të ngushtë me SHBA-në në çështje strategjike dhe ushtarake.

Në këtë botë gjithnjë e më të ndërlikuar, ku interesat ekonomike globale dhe nevojat e politikës së jashtme shpesh përplasen me parimet dhe retorikën nacionaliste, Shtetet e Bashkuara pritet të dalin në krye si një forcë transformuese që ndikon thellësisht në rregullat e lojës ndërkombëtare. Nën drejtimin e Trump, Amerika do të përpiqet të rikonfigurojë balancat e fuqive duke vendosur përparësi kombëtare që shpesh bien ndesh me bashkëpunimin shumëpalësh dhe standardet e aktuale ndërkombëtare. Kjo përpjekje për t’i përshtatur politikat globale me interesat e drejtpërdrejta të SHBA-së reflekton një paradigmë të re, ku aleatët janë të mirëpritur të bashkëpunojnë, por për këtë, duhet të jenë të gatshëm të mbajnë barrën e tyre.

SHBA synon të mbajë një rol udhëheqës, por jo duke ndjekur të njëjtat angazhime tradicionale. Ajo i qaset politikës ndërkombëtare si një lojtar që përcakton interesa dhe kushte të reja dhe u kërkon aleatëve të saj ta ndjekin këtë model ose të mbeten jashtë rrjetit të ri të ndikimit amerikan. Kjo dinamikë sjell me vete sfidën e përshtatjes së shumë vendeve, të cilat duhet të manovrojnë në mënyrë të kujdesshme mes presionit të rritur për t’u vetë-mbështetur dhe për të qëndruar pranë SHBA-së, si një partner i fuqishëm. Ky pozicionim, ndërsa sfidon status quo-në e globalizmit, krijon një mjedis të ri ku shtetet e tjera duhet të përshtaten për të ruajtur pozitat e tyre në arenën globale.

Me përzgjedhjen e figurave të tij më besnike, Trump po përgatit terrenin për një ndryshim të thellë dhe të pakthyeshëm në politikën amerikane. Ai nuk synon vetëm të shënojë një kthesë të re për administratën e tij aktuale, por edhe të krijojë një trashëgimi politike që do të vazhdojë të ndikojë strukturat e pushtetit edhe pasi të ketë lënë detyrën. Ky konfigurim i kabinetit të ri tregon një qëllim afatgjatë: ndërtimin e një modeli politik të mbështetur në besnikëri dhe përkushtim të palëkundur ndaj vizionit të tij. Trump synon të vendosë themele që do të qëndrojnë gjatë, duke i lejuar vizionit të tij të mbijetojë përtej mandateve tradicionale dhe të bëhet një pikë reference për një epokë të re në politikën amerikane dhe atë globale.

Dr. Dael Dervishi është Drejtues i Departamentit të së Drejtës Publike, Universiteti Luarasi dhe kontribues pranë “Leadership, Diplomacy and National Security Lab“, Arizona State University, SHBA, si dhe pjesëtar i McCain Institute.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb