TURQI- I pranishëm në një takim në Stamboll për të drejtat e gruas, Presidenti i Turqisë Rexhep Taip Erdogan deklaroi se femrat nuk janë të barabarta me burrat dhe si të tilla, nuk mund të trajtohen njësoj me burrat.

Erdogan i shpjegoi deklaratat e tij me fizionominë dhe karakteristikat që kanë të dy sekset. “Për shkak të dallimeve biologjike, burrat dhe gratë nuk mund të kenë rol të njëjtë në jetë. Disa njerëz këtë mund ta kuptojnë, disa të tjerë jo. Këtë nuk mund t’ua shpjegoni feministeve sepse ato s’e pranojnë konceptin e amësisë”, mësohet të ketë thënë presidenti turk.

Sipas tij, femrat dhe meshkujt nuk mund të trajtohen njësoj sepse kjo është në kundërshtim me natyrën njerëzore. “Besimi ynë islam e ka përcaktuar vendin e gruas në shoqëri, amësinë. Karakteret e tyre, shprehitë dhe ndërtimi fizik i tyre janë të ndryshëm. Femrat nuk mund të bëjnë punët që bëjnë meshkujt, siç është rasti në vendet komuniste. Nuk mund t’iu thuhet femrave dilni në fushë dhe punoni tokën. Kjo është në kundërshtim me natyrën e tyre të ndjeshme”, ka thënë Erdogan në takimin në të cilin e pranishme ishte edhe e bija e tij Sumea.

Për më tepër presidenti turk, Erdogan deklaroi se çdo turke duhet të lindë tre fëmijë dhe propozoi kufizimin e të drejtës për abort.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: