Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan u bëri thirrje të gjitha vendeve të rajonit që të qëndrojnë në krah të Libanit kundër planit të pushtimit nga Izraeli.

Në një fjalim para grupit parlamentar të Partisë së tij për Drejtësi dhe Zhvillim (AK) në kryeqytetin Ankara, Erdogan tha: “Izraeli, i cili ka shkatërruar Gazën, tani po i kushton vëmendje Libanit. Ne shohim se fuqitë perëndimore po mbështesin Izraelin.”

“ Turqia qëndron me popullin dhe shtetin vëllazëror libanez dhe ftoj vendet e tjera të rajonit që të solidarizohen edhe me Libanin”, tha Erdogan.

” Planet e Netanyahut për të përhapur luftën në të gjithë rajonin do të çojnë në një katastrofë të madhe,” paralajmëroi ai, duke shtuar: “Bota islame dhe vendet e Lindjes së Mesme duhet të jenë të parat që do të reagojnë ndaj këtyre planeve të përgjakshme.”

“Është jashtëzakonisht e tmerrshme, patetike që shtetet, të cilat flasin për lirinë, të drejtat e njeriut dhe drejtësinë, mbahen rob nga një i çmendur si Netanyahu”, shtoi presidenti.

Izraeli, duke shkelur një rezolutë të Këshillit të Sigurimit të OKB-së që kërkon një armëpushim të menjëhershëm, është përballur me dënimin ndërkombëtar në mes të ofensivës së tij brutale të vazhdueshme në Gaza që nga sulmi i Hamasit më 7 tetor.

Afro 37,700 palestinezë janë vrarë që atëherë në Gaza, shumica prej tyre gra dhe fëmijë, dhe më shumë se 86,200 të tjerë janë plagosur, sipas autoriteteve lokale shëndetësore.

Më shumë se tetë muaj pas luftës izraelite, pjesë të gjera të Gazës janë në gërmadha mes një bllokade gjymtuese të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve.

Izraeli akuzohet për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, vendimi i fundit i së cilës e urdhëroi atë të ndalonte menjëherë operacionin e tij ushtarak në qytetin jugor të Rafahut, ku më shumë se 1 milion palestinezë kishin kërkuar strehim nga lufta përpara se të pushtohej më 6 maj.

 

(A.A/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb