Kreu i partisë kryesore opozitare të Turqisë Ozgur Ozel u shpreh të mërkurën se protestat do të vazhdojnë “në çdo qytet” derisa të shpallen zgjedhjet e parakohshme presidenciale ose deri sa kryetari i burgosur i Stambollit, Ekrem Imamoglu, të lirohet nga burgu.

Ozel, kryetar i Partisë Popullore Republikane (CHP) të kryebashkiakut, tha se protestat mbarëkombëtare do të përfshijnë një demonstratë shumë të madhe këtë të shtunë në Stamboll. Sipas tij kjo do të hapë fushatën e partisë për ta bërë Imamoglun presidentin e ardhshëm të vendit në zgjedhjet që priten në vitin 2028.

“Në çdo qytet ku shkojmë do të kemi mitingjet më të mëdha në historinë e tyre. Besimi në Ekrem Imamoglu dhe në demokraci do t’i bëjë protestat më të mëdha dhe më të forta,” deklaroi Ozel.

Krahas demonstratave masive, ka pasur edhe arrestime masive më shumë se 1,400 njerëz, duke përfshirë shtatë gazetarë turq që raportonin për protestat.

Ozel tha se rasti i korrupsionit kundër kryebashkiakut të Stambollit ishte një mashtrim i krijuar për ta diskredituar atë. Ozel tha se Imamoglu u arrestua për një arsye të thjeshtë për të parandaluar që ai të bëhej presidenti i ardhshëm i Turqisë. Gjithashtu sondazhet e opinionit sugjerojnë se kryetari i bashkisë mund ta bëjë këtë nëse nuk është pas hekurave.

“Erdogan e ka futur në burg një fitues të zgjedhjeve tre herë… përpara gjithë botës.  Papritmas ai po burgos dikë që po lufton kundër tij në një mënyrë normale politike. Është sikur rivali juaj të vijë dhe të presë topin në një lojë futbolli, sepse ju po fitoni,” tha ai.

(Balkan Web)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb