Presidenti turk, Reccep Tajip Erdogan u bëri thirrje sot të gjitha vendeve që “të mbajnë duart larg Sirisë”. Ai tha se Ankaraja ka aftësinë për të shtypur të gjitha organizatat terroriste në atë vend, duke përfshirë milicinë kurde dhe Shtetin Islamik.
Gjatë një fjalimi para grupit parlamentar të partisë së tij AKP, Erdogan argumentoi se milicia kurde YPG tani ishte problemi më i madh në Siri pas përmbysjes së ish-presidentit Bashar al-Assad dhe shtoi se grupi nuk do të ishte në gjendje t’i shpëtonte asaj që ai e quajti “fund i pashmangshëm”, nëse ajo nuk i dorëzon armët.
Çfarë tha Erdogan për PKK-në?
Presidenti turk tha gjithashtu se nëse Partia e Punëtorëve të Kurdistanit (PKK) kundërshton apelin e liderit të burgosur, Abdullah Ocalan, për të lënë armët, “Turqia do të arrijë qëllimin e saj për të eliminuar terrorizmin me mjete të tjera”.
“Nëse organizata e bën veshin shurdh ndaj kësaj thirrjeje dhe grupet që bashkëpunojnë me të nuk marrin vendimin e pritur, ne do të realizojmë qëllimin tonë për një Turqi të lirë nga terrorizmi me metoda të tjera”, theksoi Erdogan.
(BalkanWeb)