Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, tha se vendi i tij dhe Rusia duan të eliminojnë terroristët nga Idlibi, rajon në Sirinë veriperëndimore pranë kufirit turk.


“Ankaraja kurrë nuk do ta lejojë (praninë) e një njësie që përbën një kërcënim për integritetin territorial turk dhe sirian”, tha Erdoğan në një konferencë të përbashkët shtypi me homologun e tij rus Vladimir Putin në Kremlin.


Ankaraja vazhdon të marrë masa për Idlibin, pasi kjo është një çështje “e ndjeshme” për Turqinë, tha Erdoğan.


Ai theksoi se Idlibi duhet të pastrohet krejtësisht nga terrorizmi në mënyrë që njerëzit të kthehen në mënyrë të sigurtë në shtëpitë e tyre.

Presidenti turk tha gjithashtu se të dy vendet janë të vendosura për të eleminuar kërcënimet terroriste pranë kufijve të Turqisë, duke shtuar se grupet terroriste PKK dhe YPG përbëjnë të njëjtin kërcënim si DEASH.

“YPG dhe PKK përbën të njëjtin kërcënim për rajonin sikurse DEASH. Është kusht që së bashku me DEASH-in, të eliminohen edhe organizatat e ngjashme dhe ky kërcënim”, deklaroi Erdoğan.

Në fushatën e saj terroriste më shumë se 30-vjeçare kundër Turqisë, PKK, e cilësuar si një organizatë terroriste nga Turqia, SHBA dhe BE, ka qenë përgjegjëse për vdekjen e gati 40.000 njerëzve, duke përfshirë gra dhe fëmijë, ndërkohë që PYD/YPG është dega e saj siriane.

Putin, nga ana tjetër, tha se përpjekjet turko-ruse në Idlib përfundimisht do të çojnë në eliminimin e kërcënimit terrorist atje.

Duke e quajtur problemin e Idlibit çështje që kërkon nxitim, ai njoftoi krijimin e një qendre të përbashkët monitorimi ruso-turke.

Marrëdhënie më të forta tregtare

Putin i vlerësoi bisedimet në Moskë si “shumë të suksesshme”, duke thënë se ato ndihmojnë në nxitjen e zhvillimit të raporteve midis dy vendeve.

Ai theksoi forcimin e bashkëpunimit midis dy vendeve, duke shtuar se një fond investimi ruso-turk i krijuar gjatë ditës së sotme do të tërheqë të paktën pesë miliardë dollarë investime.

Putin tha se Rusia po bën çdo gjë të mundur për të siguruar pavarësinë ekonomike për të dy vendet, duke përfshirë tregtinë me monedha kombëtare me Turqinë.

“Përkundër të gjitha vështirësive në çështjen e sigurisë rajonale dhe atë ekonomike, me Turqinë zhvillojmë një bashkëpunim tejet të frytshëm”, theksoi Putin.

Ai e quajti bashkëpunimin mes dy vendeve në fushën e energjisë si “strategjik” dhe premtoi të përfundojë ndërtimin e centralit bërthamor Akkuyu në Turqi deri në vitin 2023.

Po ashtu, tha Putin, gazsjellësi Rrjedha Turke që është në ndërtim e sipër do të mundësojë që Turqia të bëhet një vend tranzit për shpërndarjen e gazit natyror rus në Evropë.

Presidenti rus tha se me homologun turk Erdoğan ka diskutuar transferimin e sistemeve të mbrojtjes raketore S-400 dhe blerjen e armëve të tjera, duke shtuar se Rusia dhe Turqia do të rrisin bashkëpunimin në këtë fushë.

Si një inkurajim tjetër i tregtisë, Putin tha se aplikimi i vizave për shoferët turq të kamionëve do të anulohet në të ardhmen e afërt.

Ndërkohë, presidenti turk Erdoğan tha se “Ankaraja dhe Moska janë të gatshme për të përmirësuar më tej marrëdhëniet”, dhe shtoi se takimi tjetër i nivelit të lartë me Rusinë do të organizohet në Turqi.

Dy liderët më herët gjatë ditës kryesuan takimin e 8-të të Këshillit të Bashkëpunimit të Nivelit të Lartë pas bisedimeve kokë më kokë në Kremlin.

Takimet e Këshillit të Bashkëpunimit të Nivelit të Lartë ndërmjet dy vendeve organizohen që nga viti 2010.