Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka deklaruar se vendi i tij nuk do të lejojë që rajoni të copëtohet përsëri me një marrëveshje të re si Marrëveshja Sykes-Picot që ndau Lindjen e Mesme, raporton Anadolu.
E nënshkruar më 16 maj të viti 1916 nga Britania dhe Franca, Marrëveshja Sykes-Picot përcaktoi sferat e ndikimit britanik dhe francez në Lindjen e Afërt pas rënies së Perandorisë Osmane gjatë Luftës së Parë Botërore.
“Një plan i keq që po zbatohet, nuk do të kufizohet në Gaza, Bregun Perëndimor dhe Liban. Nuk keni nevojë për një profeci për të parë se ku qëndron qëllimi përfundimtar”, tha presidenti Erdogan në ngjarjen e teknologjisë TEKNOFEST, që po mbahet në qytetin jugor turk Adana.
Erdogan theksoi se çdo pikë gjaku derdhet në mënyrë të barabartë nga ata që hedhin bomba dhe ata që i furnizojnë ato.
Duke shpërfillur rezolutën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së që bën thirrje për një armëpushim të menjëhershëm, Izraeli ka vazhduar me ofensivën brutale në Rripin e Gazës pas sulmit ndërkufitar nga grupi palestinez Hamas më 7 tetor të vitit të kaluar.
Që atëherë, në Gaza janë vrarë të paktën 41.800 palestinezë, kryesisht gra dhe fëmijë, si dhe rreth 96.800 të tjerë janë plagosur.
Sulmi izraelit ka shkaktuar zhvendosjen e pothuajse të gjithë popullsisë së territorit palestinez mes një bllokade të vazhdueshme që ka çuar në mungesa të mëdha të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve.
Izraeli gjithashtu përballet me një çështje gjenocidi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për veprimet e tij në Gaza.
Sulmet izraelite janë përhapur edhe në Liban, ku sipas autoriteteve të vendit, të paktën 1.947 njerëz janë vrarë, rreth 9.400 janë plagosur dhe afër 1.2 milionë të tjerë janë zhvendosur.
Komuniteti ndërkombëtar ka paralajmëruar se sulmet izraelite në Liban mund të përshkallëzojnë konfliktin e Gazës në një luftë më të gjerë rajonale.