Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, ka zhvilluar dje një bisedë telefonike me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin. Biseda mes dy presidentëve vjen një ditë pasi Turqia nisi ofensivën në Siri, e me sa duket kjo ka qenë dhe në fokus të telefonatës, sipas AA.

“Operacioni në lindje të Eufratit do të kontribuojë në arritjen e paqes dhe stabilitetit në Siri, si dhe do të hap procesin politik në Siri”, ka thënë presidenti turk.

Turqia nisi dje një operacion ushtarak të planifikuar për një kohë të gjatë në veriun e Sirisë për të nxjerrë forcat kurde të etiketuara nga Ankaraja si terroriste, por që shihen nga shumica e Perëndimit si partnerë kryesorë në luftën kundër Shtetit Islamik.

Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan njoftoi fillimin e operacionit, të quajtur “Pranvera e Paqes” dhe tha se ai kishte për qëllim zhdukjen e “kërcënimit të terrorit” kundër Turqisë. Forcat Demokratike Siriane të udhëhequra nga kurdët (FDS) thanë që avionët luftarak turq po godasin zona civile, duke shkaktuar panik të madh.

Operacioni ushtarak filloi disa ditë pas një njoftimi të befasishëm të Shtëpisë së Bardhë se forcat amerikane do të tërhiqeshin nga rajoni, duke i hapur rrugën operacionit ushtarak turk. Presidenti Donald Trump po vazhdon të mbrojë vendimin e tij, mes kritikave të gjera në Uashington, duke thënë se “luftërat e kota të pafundme për ne po mbarojnë!”

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: