Nga shkolla e re “Ardian Klosi”, kandidati socialist për kryetar të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj tha se aktet e dhunës dhe të djegies së shkollave nuk i bëjnë nder Shqipërisë dhe asnjë qytetari të ndershëm, që e do zhvillimin e vendit të vet.


Ai theksoi se djegia e shkollës në Shkodër është simbolika më e fortë se çfarë është në gjëndje t’i bëjë opozita e sotme këtij vendi, vetëm për të marrë pushtetin.


“Po shikoja dje Voltanën, ishte krenare që kishte djegur një shkollë, që kishte thyer një shkollë, që kishte dhunuar një shkollë. Shqiptarë, kush ka sy të shohë, kush ka veshë të dëgjojë, kush ka mendje të mendojë dhe kush ka dorë të votojë për ata që i bëjnë shkollat dhe jo për ata që i djegin shkollat. Sot isha shumë i mërzitur dhe i hidhëruar që mediat ndërkombëtare tregonin se në Shqipëri një parti që humbet nga viti në vit e nga zgjedhja në zgjedhje, është e pashpresë dhe ka filluar të djegë shkolla. A thua se zbuluan që armiku i Shqipërisë është të djegin shkolla. Është keqardhje”, tha Veliaj.


Më tej, ai shtoi se ata që dogjën shkollën dhe Shkodrën nuk janë shkodranë, por një grupim i vogël që është gati të bëjë çdo gjë vetëm që të vijë në pushtet. “Disa thanë si e bënë shkodranët këtë? Dua të ndalem tek të gjithë ata që mendojnë se këtë e kanë bërë shkodranët. Dua t’ju them që një grup hyzmeqarësh të një partie të lodhur, nuk janë shkodranët”, u shpreh Veliaj.

Ai tha se Shkodra e Migjenit, Kol Idromenos, At Zef Pëllumbit, e kulturës, fotografisë, humorit dhe muzikës nuk djeg shkolla.

“Shkodra është e Migjenit, e mësuesit të përkushtuar, e atij që nderoi me shumë dashuri kulturën shqipe, për nxënësit shqiptarë, edhe për ju. Shkolla ishte Kisha e Migjenit, xhamia e Migjenit, shkolla ishte Perëndia e Migjenit. Shkodra është e Migjenit, jo e Voltanës, jo e rrugaçëve, jo e dhunuesve. Mos i ngatërroni këto koncepte. Shkodra është e At Zef Pëllumbit, e atij që u sakrifikua për liri, për njerëzit që të kishin besim në Zot edhe në votë. At Zef Pëllumbi e prezanton Shkodrën, jo një grup hyzmeqarësh të lodhur. Sikur me të njëjtin pasion që dogjën, që thyen, që shkatërruan, imagjinoni sikur me të njëjtin zell të kishin pastruar, gjelbëruar, të kishin mbjellë pemë, të kishin bërë kënde lodrash, çerdhe, kopshte, shkolla në Shkodër. Sikur me të njëjtin pasion që e shkatërrojnë imazhin e Shkodrës të kishin bërë punë, sot nuk do ishte nevoja për këtë debat. Por, ngaqë nuk kanë bërë asnjë punë krenohen se djegin shkollat e Shkodrës. Shkodra është e At Zef Pëllumbit që thoshte: Rro me tregu. Dhe do rrojmë dhe do ta tregojmë, edhe punën, edhe dhunën”, deklaroi kandidati socialist.