TIRANË

Viti i ri shkollor do ta gjejë Tiranën me një shkollë krejtësisht të re dhe më të mirën në Shqipëri. Bëhet fjalë për shkollën “Servete Maçi” në Njësinë nr.9 ku 600 nxënës do të gjejnë një shkollë krejtësisht të re dhe jo vetëm me kushtet më të mira por edhe me arkitekturën më të veçantë. Lajmin e bëri të ditur kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj gjatë mbledhjes së Këshillit të ri Bashkiak.



“Një nga gjërat që besoj të gjithë do të jeni me mua në datën 16 shtator, për të hapur një shkollë të re, është shkolla “Servete Maçi”. Di t’ju them që është disa herë më e bukur edhe më e arrirë sesa shkolla “Kosova”, nëqoftëse ka skeptikë, ju ftoj që në datën 16 shtator të jemi aty, nuk do besoni që jeni në Shqipëri, le më në Tiranë. Në atë shkollë, është një nga veprat më të arrira, është një shkollë muzike, qytetase, pra jo vetëm e lagjes, e Njësisë 9 dhe 8, aty ku ndodhet, por për të gjithë ata që kanë zgjedhur shkollën e muzikës besoj do të na bëjë të ndihemi krenarë. Ata që janë të vjetër në Këshillin bashkiak i kanë marrë vendimet për atë shkollë, dhe ata që janë të rinj dhe që përfaqësojnë komunitetin e Njësisë 8 dhe 9, apo nga e gjithë Tirana, ku ata që janë me prirje muzikore, sidomos 600 familje, do të çojnë fëmijët e tyre në shkollën e re, “Servete Maçi”, tha Veliaj.


Kjo është shkolla e pestë që Bashkia e Tiranës ka ndërtuar nga e para në këto 4 vite, pas “Betim Muço” në Kombinat, “Ardian Klosi” në Njësinë 4, “Shkolla Kosova” dhe “Hoxha Tahsin”. Por jo vetëm nxënësit e kësaj shkolle do të gjejnë kushte më të mira mësimi, pasi Bashkia e Tiranës është duke rikonstruktuar dhe disa shkolla të tjera, ku janë përmirësuar kushtet në ambientet aktuale si dhe janë shtuar ambiente të reja mësimi. Bëhet fjalë për rikonstruksionin e shkollës “Ali Demi”, “Sabaudin Gabrani”, “Konferenca e Pezës”, “Gustav Mayer”, “Dhora Leka”, “Mihal Grameno”, si dhe disa shkolla të tjera në zonat rurale.

Por ai theksoi se ajo që do ti jap përgjithmonë zgjidhje problemit të mësimit me dy turne janë investimet që ka nisur Bashkia e Tiranës për të ndërtuar 17 shkollat e reja. “Kanë filluar dhe themelet e “Nënë Terezës”, “Kristo Frashërit”, shkolla “Dritëro Agolli” që do të fillojë tek Parku Olimpik, dhe 17 shkollat e reja që të mbyllet në këtë mandat përfundimisht çështja e arsimit me dy turne”, shtoi kryebashkiaku Veliaj.

Gjithashtu sa i përket infrastrukturës arsimore, kryebashkiaku Veliaj bëri të ditur se sfidë e Bashkisë së Tiranës do jetë bërja edhe e kopshteve publike në Tiranë më të lakmueshme për qytetarët se ato private. “Është hera e parë në historinë e këtij qyteti ku kemi deri në 10 kërkesa për një vend në çerdhe. Sfida që kemi për këtë mandat është që t’i bëjmë të lakmueshme kopshtet publike, siç kemi bërë çerdhet dhe si procesi i decentralizimit, tashmë i kanë kaluar totalisht edhe si asete edhe si bordero Bashkisë së Tiranës, dhe besoj që ambicia jonë është që të bëjmë edhe kopshtet siç kemi bërë çerdhet. Kur të shkojë kërkesa në kopshtet publike 10 me 1, realisht do të jetë një notë 10 për Bashkinë, por edhe një 10 fish nevojë për të pasur kopshte dhe çerdhe të reja.”, tha Veliaj.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: