Ndërsa opozita po zhvillon protestën e pestë kombëtare kundër qeverisë, kjo e fundit duket se nuk ka kohë për të humbur. Erion Veliaj është regjistruar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve si kandidat i “Aleancës për Shqipërinë Europiane” për Bashkinë e Tiranës. Në KQZ sapo është depozituar edhe lista e ASHE me 100 kandidatët për Këshillin Bashkiak.

Që në ditën e parë si kryebashkiak, Veliaj u zotua për t’i dhënë kryeqytetit një frymë të re, më moderne, për ta kthyer në një qytet të jetueshëm për njerëzit.
Një nga vendimmarrjet e para të tij ishte pikërisht reformimi i shërbimit të pastrimit publik dhe aksionet për vendosjen e kontrollit në hapësirat urbane, të cilat ishin zaptuar padrejtësisht. Aksion i cili tregoi për vendosmërinë e tij për t’i ndryshuar fytyrën Tiranës, duke nisur me mbajtjen pastër të saj.

Sheshi “Skëndebej, Pazari i Ri, Bulevardi i Ri janë dëshmia më e qartë e këtij transformimi. Një numër i konsiderueshëm blloqesh banimi kanë pësuar një transformim të pabesueshëm edhe për më kritikët, ndryshim që ka prekur thuajse cdo lagje të Tiranës. Filozofia e ndërtimit të qytetit u fokusua tek fëmijët, të cilët janë tashmë dhe avokatët më të mirë të çdo projekti të ri ambicioz të Bashkisë së Tiranës.

Nuk mund të lëmë pa përmendur rikonstruksionin e çerdheve, kopshteve në të gjithë kryeqytetin, ndërkohë që ka nisur puna për ndërtimin e shkollave të reja, të cilat do t’i japin fund një prej problemeve më të mëdha që nga vitet ’90: mësimit me dy turne. Veliaj i ka shpallur luftë mësimit me dy turne në shkollat e Tiranës dhe zgjidhja po vjen me ndërtimin e 17 shkollave të reja në 2019.

Transporti publik, po ashtu, nën kujdesin e Veliajt, i është nënshtruar një reformimi të thellë: është shtuar numri i linjave brenda qytetit dhe flota e autobusëve, çka ka rritur numrin e qytetarëve që zgjedhin transportin publik. Një vëmendje të veçantë Veliaj i ka kushtuar edhe kujdesit social. Riktheu çekun e bebes, si një mirëseardhje për banorët më të rinj të qytetit, që ishte ndërprerë nga administrata e mëparshme, ndërsa brenda mandatit shpërndau mbi 2000 kredi të buta për familjet në nevojë dhe çiftet e reja. Nëse deri katër vite më parë në kryeqytet nuk kishte asnjë qendër sociale, aktualisht në të gjithë kryeqytetin janë ngritur shtatë të tilla që ofrojnë jo vetëm një vakt të ngrohtë, por edhe kujdes të specializuar.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb