Deputetja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho gjatë fjalës në Kuvend akuzoi qeverinë se duke rrënuar sistemin arsimor, dëboi të rinjtë nga vendi.

Xhixho tha se 1 në 3 maturantë kërkon të largohet nga vendi. Deklarata e Xhixhos u bë gjatë diskutimit të projektligjit “Për Rininë” ku ministrja e Shtetit, Bora Muzhaqi tha se drafti është harmonizuar me standardet e BE.

“Në këtë seancë të fundit, qeveria na ka sjellë për miratim ligjin për rininë. Pasi i ka dëbuar të rinjtë nga Shqipëria, duke mos u dhënë asnjë mundësi për t’u arsimuar e për të pasur një jetë dinjitoze, qeveria ka menduar të sjellë të rishikuar ligjin për rininë per te ndertuar patronazhiste dhe jo qytetare te angazhuar me mendim kritik. Qeveria i ka dëbuar të rinjtë duke e bere jetesen te pamundur per ta ,duke rrënuar arsimin dhe vrare shpresen dhe meritokracine. Një në tre maturantë deshiron te largohet nga vendi , sepse e ka humbur shpresën se në vendin e vet mund të marrë shkollimin që dëshiron e mund të ndërtojë karrierën që ka ëndërruar.

Kjo qeveri që ka vrarë shpresën e të rinjve, me nxitimin për ta miratuar sa më shpejt këtë ligj, në mënyrë që ta përdorë në këto zgjedhje, e sjell atë për miratim, pavarësisht kundërshtimit jo vetëm nga opozita, por edhe nga shoqëria civile”, tha Xhixho.

Pjesë nga fjala në Kuvend

Dua të ndalem në mënyrë specifike në dy pika, në nenin 5 dhe në nenin 6. Këto dy nene parashikojnë që Këshilli Kombëtar i Rinisë dhe këshillat vendorë të kryesohen përkatësisht nga ministri i Rinise dhe kryetari i bashkisë, të cilët kanë kompetencën për të emëruar anëtarët.

Pra, në vend të një grupimi rinor që ka në fokus adresimin e problemeve të të rinjve dhe përfaqësimin e tyre te kene mundesi te zgjidhen, këshillat rinorë kthehen në ekipe si patronazhistët apo aktivistët e bashkisë. Pra, synimi është që këshillat të jenë një zgjatim i ri i Partisë Socialiste, të cilët të vihen në shërbim të saj.
Gjithashtu ndryshon kompetenca e keshillave qe kishin kompetenca te propozonin politikat rinore , tani me kete projekt ligj vetem japin mendim.

Një tjetër arsye pse e gjej me vend ta kundërshtoj këtë ligj është fakti se ai nuk synon të jetë gjithëpërfshirës dhe nuk respekton meritokracinë.

Ligji përcakton se anetaret ne këshillat rinorë do të bëjnë pjesë vetëm përfaqësues të organizatave rinore, ndërsa pjesa tjetër emërohet me urdhër të ministrit apo kryebashkiakut. Pra nuk garantohet gjithëpërfshirje dhe as garë që garanton përfaqësim real.

Me synimin për t’i shërbyer Partisë Socialiste në fushatë, qeveria na sjell sot në Parlament një ligj që u shërben vetëm disa të rinjve, jo të gjithëve.

Ky është një ligj që ka efekte preferenciale dhe financiare për t’u dhënë ca të rinjve disa fonde e ca të tjerëve jo. Sepse e tillë ka qenë filozofia qeverisëse përgjatë viteve të fundit: Shqipëria e disave, jo e të gjithëve.

Ne nuk mund të lejojmë që një ligj i tillë të deformojë përfaqësimin e të rinjve në këshillat rinorë.

Ne kemi përgatitur amendimet tona për këtë ligj qe Kryetari i Keshillit Kombetar te zgjidhet nga anetaret e keshillit , gjithashtu edhe ne keshillin vendor .

Ne nuk do t’i hapim rrugën miratimit të një ligji që do të përdoret si kartë elektorale nga një qeveri që e ka zbrazur Shqipërinë nga të rinjtë. Nuk mund të lejojmë që këshillat rinorë të kthehen në ushtri patronazhistësh, që vihen në shërbim të partisë në pushtet.

Të rinjve shqiptarë nuk u duhen këshilla që kthehen në shtojca të partisë në pushtet. Të rinjve shqiptarë u duhen mundësi reale që nisin që nga arsimimi dinjitoz, mundësitë e punësimit dhe karrierës dhe kushtet për të ndërtuar të ardhmen e tyre në Shqipëri.

Klubi Parlamentar per te rinjte qe une drejtoj ka bere degjesa me Ministrin dhe shoqerine civile dhe ka propozuar amendimet te cilat nuk jane marr fare parsysh.

Ndaj sot ftoj kolegët të mbështesin propozimet tona për ndryshimin e këtij ligji.Le të punojmë për të rinjtë, duke u garantuar atyre mundësi reale për t’u bërë qytetarë të angazhuar në të mirë të vendit.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb