Deputetja e PL, Erisa Xhixho ka nisur në SHBA axhendën e takimeve të Programit McCain së bashku me Daniel Twinning dhe Kimber Shearer, Presidentin dhe Zv. Presidenten Ekzekutive të Institutit Republikan Ndërkombëtar.
Xhixho u shpreh se gjatë takimit, si ligjvënëse, por edhe si zëvendëspresidente e Partisë së Lirisë, ka theksuar se konsolidimi i demokracisë vjen nga zgjedhjet e lira dhe të ndershme.
Ajo shtoi se Shqipëria ka ende probleme të rënda si shitblerja e votës, përdorimi i financave publike për deformimin e vullnetit të popullit, etj, dhe se për vendin demokracia dhe liria janë vlera jetike që duhen mbrojtur.
“Kënaqësi të nisnim axhendën e takimeve të Programit McCain në Washington DC, me Daniel Twinning dhe Kimber Shearer, Presidentin dhe Zv. Presidenten Ekzekutive të Institutit Republikan Ndërkombëtar.
Gjatë takimit, si ligjvënëse, por edhe si zëvendëspresidente e Partisë së Lirisë, theksova se konsolidimi i demokracisë vjen nga zgjedhjet e lira dhe të ndershme.
Fatkeqësisht, Shqipëria ka ende probleme të rënda si shitblerja e votës, përdorimi i financave publike për deformimin e vullnetit të popullit, presioni mbi administratën shtetërore dhe direkt mbi votuesit, përdorimi i parave të krimit dhe aferave korruptive si ajo e inceneratorëve dhe lidhja e ngushtë e krimit të organizuar me politikën.
Për Shqipërinë, demokracia dhe liria janë vlera jetike që duhen mbrojtur”, u shpreh ajo.