TIRANE – Lajmi që nënkryetarja e LSI-së dhe pedagogia e Fakultetit të Drejtësisë, Erisa Xhixho, është në pritje të ëmbël, u mësua live në spektaklin “C’est la vie” në Tv Klan, në të cilin ajo po merr pjesë prej disa javësh. Henri, djali i saj i parë, është tashmë një vjeç e gjysmë, dhe pas disa muajsh do të jetë vëllai i madh. Ai ende nuk e kupton shumë mirë se ç’po ndodh me barkun e mamit të tij, por si Erisa, ashtu edhe Enea, bashkëshorti i saj, po përpiqen t’i shpjegojnë se është një bebe që do të vijë së shpejti shkruan Class.

E ftuar sot në “Rudina”, Erisa tregon se shtatzënia e dytë është shumë ndryshe nga e para. Nëse tek e para je më shumë në kontakt me të papriturën, këtë herë, disa lloj ndjesish i ke të njohura: “Është ndryshe nga e para, ka tjetër emocion. Nëse e para është me të papriturën, këtu është ndryshe. Por këtë herë është shtuar edhe emocioni që është vajzë, tani ka filluar të lëvizë…” – rrëfen Erisa.

Ndjesitë e para kishte filluar t’i kuptonte, por njeriu i parë të cilit ia besoi dyshimet ishte e ëma, e cila u habit për kohën e shpejtë të kësaj shtatzënie: “Pas shenjave të para, e diskutova me mamanë. I thashë ‘mimi, më duket se do bëhesh gjyshe prapë’. Në fakt, unë dhe Enea donim një fëmijë të dytë, sepse edhe Henrin nuk donim ta limin vetëm. Unë nuk doja që të kishin edhe shumë diferencë, sepse kur janë kaq fër luajnë me njëri-tjetrin, ndajnë shumë gjëra bashkë e bëhen më të lidhur. Por erdhi pak më shpejt. Momenti kur morëm vesh lajmin, ishim në shtëpi, unë Henri dhe Enea. Unë isha pak e papërgatitur, kurse Enea më sportiv. E pritëm shumë mirë dhe jemi shumë të lumtur”, – tregon më tej Erisa.
Erisa tani është thuajse në muajin e gjashtë të shtatzënisë. Vajza pritet të lindë në maj – muaj i cili është i gjithë për familjen e saj. Përveç tri rastësive të ëmbla që kanë ndodhur në këtë muaj (tri ditëlindjet, Enea, Henri dhe vetë Erisa), pritet që në majin e vitit të ardhshëm, madje pikërisht gjatë këtyre ditëve të vijë në jetë edhe personi i katërt: “Jemi të tre në maj dhe të tre në një javë, Enea 14, 16 Henri dhe 17 maj kam lindur unë. Kur shkova te doktori, ai më tha se nga data 15 maj mund të bëhesha për të lindur: “Atë datë e kemi bosh”, – i thashë” – tregon Erisa me të qeshur dhe e kënaqur që kjo rastësi e ëmbël. Si supersticioze, Erisa vazhdon të besojë se, përveç datës, shumë i rëndësishëm për identitetin e fëmijës është edhe emri me të cilin do të pagëzohet vajza. Ajo thotë se akoma vazhdojnë diskutimet. Ende nuk është gjetur variant final, por duhet një emër i thjeshtë, me 5 germa, që ta identifikojnë edhe kur ai të jetë 30 vjeç.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: