Në emisionin “Open” në News24 është diskutuar lidhur me zhvillimet politike në vend, veçanërisht sa i takon opozitës, ku logo dhe vula iu kalua grupimit të Sali Berishës.
Erl Murati, drejtor i Informacionit në News24, tha se opozita shkon në zgjedhje me kryetarin që është i akuzuar për korrupsion, Ilir Metën që ndodhet nën arrest si i dyshuar ëpër korrupsion, Fatmir Mediun që po gjykohet në GJKKO.
“Kemi dy nga drejtuesit e opozitës nën akuzë për korrupsion. Vërtet Berisha mori vulën e PD, vërtet doli nga arresti shtëpiak, por është e dobët në raport me mazhorancën për të fituar zgjedhjet. Përgjegjës për këtë situatë është Berisha. Ai duhet të lançojë një kandidat për Kryeministër që të bashkojë sa më shumë faktorë të opozitës, sikundër pas zgjedhjeve duhet të largohet nga drejtimi i PD-së dhe të hapë rrugën”, tha Murati.
Ai u shpreh SPAK është i krijuar nga amerikanët, ndoshta Rama mund të ketë ndikime te segmente të tij, por këta prokurorë me karrierë të gjatë në drejtësi, po japin tani rezultate, çka do të thotë se veprimtaria e këtyre prokurorëve mentorohet nga amerikanët, që mos themi kontrollohet.
(BalkanWeb)