Ermal Hoxha është nipi i ish-diktatorit Enver Hoxha. Ai është 40 vjeç dhe baba i dy fëmijëve, i një djali adoleshent nga martesa e parë dhe i një vajze 1 vjeçe nga martesa me këngëtaren Rezarta Shkurta. Ermal Hoxha është djali i madh i Ilir Hoxhës, fëmijës së parë të çiftit Hoxha, ish-diktatorit Enver Hoxha dhe bashkëshortes së tij, Nexhmije Hoxha. Ai ka një tjetër lidhje gjaku me regjimin e diktaturës komuniste në Shqipëri, pasi e ëma, Teuta Hoxha është mbesa e Ramiz Alisë, ish-presidentit dhe Sekretarit të Parë të Partisë Komuniste. Ermal Hoxha njihet si biznesmen, ndërsa bashkëshortja e tij, Rezarta Shkurta, është pronare një studioje fotografike që është hapur prej gati një viti. Lidhja e nipit të Enver Hoxhës me këngëtaren nga Durrësi lindi 10 vite më parë.

“Kemi bërë aksident me makinë. Kemi qenë te sheshi ‘Nënë Tereza’, ku Ermali më përplasi pak nga mbrapa. U takuam nja dy ditë për të sistemuar gjërat. Dhe më pas ndodhi aq shpejt e gjitha sa nuk di të të them më shumë”, rrëfente këngëtarja njohjen me bashkëshortin në një intervistë të disa viteve më parë. Çifti nuk ka bërë dasmë, por prej shumë vitesh ndajnë të njëjtin apartament në zonën e Liqenit. Këto ditë kur Ermal Hoxha u arrestua nga policia, Rezarta ndodhej në Kinë. Vetëm një javë më parë në agjencitë “online” u komentua shumë një foto e këngëtares në Kinë teksa lahej me qumësht. Komentuesve u bënte përshtypje mirëqenia e Rezartës, e cila sipas tyre, vitet e fundit ishte rritur shumë. Ermal Hoxha, edhe pse me një bashkëshorte të famshme, vetë ka zgjedhur të qëndrojë në hije duke i evituar maksimalisht daljet publike.

(d.b/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: