DURRES – Ermal Hoxha, nipi i ish-diktatorit Enver Hoxha nuk i ka pranuar akuzat e ngritura ndaj tij nga Prokuroria e Krimeve të Rënda për trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike. Pas shoqërimit në policinë e Durrësit, në kuadër të operacionit të koduar “Xibraku”, 40-vjeçari është marrë në pyetje për më shumë se dy orë nga inspektorët e Antidrogës së qytetit bregdetar. “Nuk e di ku doni të dilni. Nuk kam lidhje me pyetjet që më bëni, ndaj dhe nuk mund t’u përgjigjem pyetjeve tuaja që s’kanë asnjë të vërtetë. Unë nuk kam lidhje me trafikun e drogës”, ka pohuar para hetuesve të çështjes bashkëshorti i këngëtares Rezarta Shkurta. Ai ka qëndruar rreth 20 orë në dhomat e shoqërimit në Komisariatin e Durrësit, ku nuk është vizituar nga asnjë i afërm i familjes. “Ermal Hoxha nuk është vizituar nga askush, madje as avokati i tij nuk erdhi ta takonte. Mësuam që avokati e priste në Tiranë. Rreth orës 16:00 të ditës së sotme (djeshme) ai është transferuar me autoblinda në Tiranë, ku do të merret në pyetje nga ekspertët e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, me urdhër të të cilëve është arrestuar”, thanë burime zyrtare nga Drejtoria e Policisë së Qarkut të Durrësit për Gazeta Shqiptare. Ndërkohë, burimet në fjalë pohuan se në makinën e Ermal Hoxhës nuk është gjetur asgjë komprometuese, përveçse sendeve personale.

PROKURORIA: HOXHA U FILMUA BRENDA LABORATORIT

Gazeta “Panorama” shkruan se nipi i Enver Hoxhës është arrestuar pasi më parë është filmuar nga agjentët e policisë në laboratorin e drogës në Xibrakë të Elbasanit.Burime nga uniformat blu bëjnë të ditur se Ermal Hoxha ka vizituar vendin ku përpunohej pluhuri i bardhë dhe kjo e ka implikuar. Në shtëpinë e vjehrrit në Durrës, është gjendur edhe automjeti i tij tip “Volvo” me ngjyrë blu, e cili iu nënshtrua një kontrolli të imtësishëm nga ana e specialistëve të antidrogës. Por, prej këtij kontrolli nuk rezultoi asgjë e dyshimtë.

(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: