TIRANE– Kantautori shqiptar që triumfoi në edicionin e fundit të Sanremos, Ermal Meta ka mbetur i surprizuar për ndryshimin që ka pësuar Tirana dhe nga pritja e veçantë që i është rezervuar në kryeqytetin shqiptar. Por duket se ajo që i ka bërë përshtypje në mënyrë të veçantë, kanë qenë edhe biçikletat e reja “Mobike” që kanë mbërritur në Tiranë me të cilat pedaloi sot në Tiranë së bashku me kryebashkiakun Erion Veliaj.

Gjatë një bashkëbisedimi me studentët shqiptarë dhe italianë në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar, teksa foli për jetën dhe karrierën e tij, rrëfeu edhe një episod ku një gazetar italian kishte keqpërdorur një intervistë të tijën duke folur me konotacion negativ për shqiptarët. Ai tregoi se për këtë kishte dashur ta ndiqte nga pas gazetarin por pa mundur ta kapte. Dhe me humor deklaroi se po të kishte një nga biçikletat “Mobike” do ta arrinte atë.
thumbnail_ermali
“Vitin e kaluar kur mora pjesë në Sanremo dhashë një intervistë në një gazetë të rëndësishme, një gazetar të rëndësishëm. Folëm për shumë gjëra interesante dhe titulli i artikullit, “Doni të shikoni që shqiptari do të fitojë, do na e hedhë të gjithëve?!”. Unë fola për shumë gjëra, por ai e shkroi me konotacion negativ. Nuk e tha me zemër të pastër. Tha, si është e mundur që do na e hedh shqiptari? E kam ndjekur me vrap kur e takova por nuk e kapa dot. Të kisha pasur biçikletën e kryetarit, e kisha kapur”, tregoi Meta.
thumbnail_Veliaj me Ermal Meten  (2)
Gjithashtu ai u shpreh se Tirana ka ndryshuar shumë, dhe se kjo vizitë i kishte shërbyer edhe për të hequr nga memoria një ndjesi të hidhur që lidhej me një vizitë të mëparshme të tij. “Tirana më pëlqen shumë tani. Herën e fundit që kam qenë këtu në 92-shin isha për një arsye të hidhur e mbase e shikoja Tiranën me atë ndjesi që kisha brenda edhe kësaj here sikur i shpëlava sytë”, tha Ermal Meta.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb