Nga: FATMIRA NIKOLLI

TIRANE – Ajo është një vajzë që i humb të gjitha, ai është një zotëri që i fiton të gjitha. E para, duhet të përçojë gjithë dramën e një gruaje të re, të pafuqishme, të pafat, e një nëne pa foshnjë e mandej e një nëne që ndjek fatin e të birit. Ndërsa ai, i ardhur nga rrethinat e Firences (ngjarja e 1299-ës është sjellë në fillimvitet 1900), duhet të jetësojë një burrë të zgjuar, që rreket të futet në botën e fisnikëve, duke mashtruar dhe duke përfituar nga vetë ata. Ai është hokatar, sepse kështu i duhet të jetë. Brenda një nate, Ermonela Jaho dhe Gëzim Myshketa sjellin dy histori: një që mundet nga vdekja, e një që përfiton nga vdekja. Ermonela solli edhe një herë një rol dramatik, “Suor Angelicën”. E mbas shqetësimit që lë “Suor Angelica” e kryqëzuar, është koha për një opera që të rikthen buzëqeshjen. Etja për para e Gianni Schicchi-t përcillet më së miri nga Gëzim Myshketa, jo thjesht me zërin e tij, për çka s’ka asnjë dyshim, por edhe me interpretimin, gjestikulacionin, të ecurën, përqeshjen, lirshmërinë. “Suor Angelica” e “Gianni Schicchi”, dy opera të Giacomo Puccini-t (shkëputur nga triptiku), shënuan premierën ndjekur nga një publik që mbushi jo vetëm sallën, por edhe galerinë.
Suor Angelica
Jemi në shekullin e 17-të, kohë kur humbja e nderit të zonjushave edhe në Europë, është tabu. Një vajzë e pander që turpëron familjen, degdiset larg. Bijë e një familjeje fisnike, Suor Angelica, e interpretuar nga Ermonela Jaho, jeton prej 7 vitesh e mbyllur në një manastir. Mes motrave murgesha, lutet që Virgjëresha t’i falë një mëkat të hershëm dashurie, fryt i së cilës është një fëmijë, të cilin ajo nuk e ka parë më që pas lindjes. Ditët kalojnë, ndërsa ajo lutet dhe përgatit barëra kuruese. Një ditë në manastir ia beh tezja e saj princeshë (interpretuar nga Vikena Kamenica). Ndërsa Suor Angelica pret faljen, tezja e çalë dhe e pashpirt i kërkon të heqë dorë nga trashëgimia. Ajo nuk e ka falur (dhe kjo kuptohet më së miri nga interpretimi i Kamenicës), veçse këtu për Suor Angelicën, fillon numërimi mbrapsht. Mëson se fëmija i saj ka vdekur, e dëgjon në pavetëdijen e vet tek e fton në parajsë, dhe vendos ta ndjekë, deri matanë. Skena e Suor Angelicës me tezen, është një ndër skenat më kulmore, ku mundesh ta shohësh (pasi e ke lexuar) se ç’është dhimbja nga një anë, e shpirtligësia në anën tjetër. Ermonela ia doli të transmetojë dhimbjen e një nëne që i kanë hequr nga krahët foshnjën e sapolindur, e mandej ia doli edhe të përcjellë vuajtjen që i jep lajmi se fëmija ka vdekur. Mundet po ashtu të përçojë ndjesitë kur sytë e gënjejnë se para sysh ka fëmijën. Ajo përcjell edhe mundimin e jetës që po fiket, kur e kupton se helmi që kapërdiu tashmë po jep efekt. Aria e fundit e Jahos vjen tronditëse. Nuk mbeten pas as nëna murgeshë me motrat e tjera të kuvendit, interpretuar nga Manjola Konjari, Ivana Hoxha, Dorina Selimaj, Ina Gaqi, Sofika Kola, Enkelejda Katroshi, Elda Kocibelli, Klodi Bocka, Redrina Kokona, Emiljana Palushaj, Eglantina Shkurti, Irena Saraçi dhe Silvana Balla. (Regjia mbante firmën e Marco Pucci Catena, Skenografia dhe Produksioni Skenik: Artur Çela; Kostumet: Meliha Fyshku dhe dirigjent Sebastiano Rolli).
Gianni Schicchi
Gëzim Myshketa ka veshur tërë petkun e këtij “çapkën djalli” që quhet Gianni Schicchi. Ai këndon si një Gianni, ecën si një Gianni, madje ‘tallet’ si një i tillë, me një tufë fisnikësh që kanë mbetur pa asnjë dyshkë, që kur tregtari i pasur Buoso Donatit, në testament ua ka lënë gjithë pasurinë: murgjve.
Ajo ‘tufë fisnikësh’ kërkon ndihmën e Gianni Schicchi-t, i njohur për zgjuarsinë e tij, por edhe për faktin se ai ka ardhur nga rrethinat. Nëse deri në atë çast e paragjykojnë, prej kur mësojnë se ai mund të ndryshojë testamentin, sillen me të si me perëndinë. Veçse ai nuk është perëndia, dhe nuk ka ndër mend të sillet si i tillë. Myshketa si Schicchi, i sjell rreth vetes, ata zotërinj që kanë jetuar gjithnjë mes Firences. Çdo gjë shkon për mrekulli derisa Schicchi i maskuar si “Buoso” para noterit jep dëshirën e tij të fundit: “E gjithë pasuria ime i shkon mikut tim të dashur Gianni Schicchi-t”. Myshketa ia ka dalë të jetë një hokatar i zgjuar, një çapkën djall që dreqos çdo gjë, për të përfituar. Kjo kuptohet në çdo çast të lëvizjeve të tij skenike, kur vjen gjithë romuz, kur i bind të gjithë, kur jep idenë djallëzore, kur iu premton të gjithëve se do iu lërë pjesën më të madhe të pasurisë, kur zë vendin e Buoso-s në krevat, madje edhe kur i lë pasurinë më të madhe vetes, e deri kur i përzë familjarët e Buoso-s, nga ajo që është tashmë shtëpia e tij. Veçse Gëzimi ka mundur ta përçojë frymën e vet në gjithë operën, duke qenë se ishte regjisori i saj. Çdo gjë rrjedh natyrshëm, pa çarje, pa ngecje, pa humbje, pa ngërçe. Skena është e pushtuar çdo çast dhe asnjë sekondë nuk duhet humbur.
Familjarët e Buoso-s, Lauretta (Besa Llugiqi), Rinuccio (Gabriele Mangione), Zita – e moshuara (Ivana Hoxha), Simone (Armando Likaj), Gheraldo (Klodian Kaçani), Nella (Eriona Gjyzeli), Gheraldino (Rajan Kukaleshi), Betto Di Signa (Ogert Islami), Marco (Genc Vozga), La Ciesca (Sonila Baboçi), Ina Gaqi, Maestro Spinelloccio dhe Sër Amantio Di Nicolao (Sidrit Bejleri), Pinellino – (Sokol Tomorri), Guccio (Jani Cekixhi) janë portretizuar më së miri – pasanikë pa ide. Një opera di të jetë edhe kështu, nga ato që s’i duhen hequr sytë, sepse humb çaste të papërsëritshme.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: