Në emisionin Vetting në News24 është trajtuar fenomeni i erozionit, ndërsa dhjetra hektarë tokë nga veriu në jug, përgjatë bregdetit janë ‘gllabëruar’ nga deti.

Emisioni ka trajtuar fenomenin nga rezervati natyror i Kune Vainit në Lezhë, plazhi i Shëngjinit, Kepi i Rodonit, Golemi, Hamallaj, Rrushkulli, Shkëmbi i Kavajës, plazhi i Darëzezës në Fier dhe Pylli i Sodës në Vlorë.

Ekspertët mjedisorë japin alarmin, sikundër banorët e zonave kujtojnë se si deti ka përparuar në drejtim të tokës, madje duke ‘zhdukur’ edhe objekte që dikur ndodheshin 200 apo 300 metra larg, në mes të pyejeve me pisha.

Por cilët janë institucionet përgjegjëse?

Sipas ekspertëve të mjedisit, shikohet qartë se atë që Zoti na dha si pasuri më të çmuar, duke bërë bregdetin tonë nga më të tërheqësit në Ballkan, mendja dhe dora e njeriut tek ne duket se po ndikojnë negativisht. Papërgjeshmëria e njerëzve të cilët investojnë pa kriter, dëmtojnë pyjet dhe neglizhenca e institucioneve për të zbatuar ligjin, po dërgon në shkatërrimin e bregdetit tonë.

Ekspert Mjedisi Endri Haxhiraj, për “ Vetting” shprehet “kemi tre institucione përkatëse që janë përgjegjëse për këtë situatë, është autoriteti lokal i të gjitha këtyre njësive lokale të bregdetit. Kemi një autoritet kombëtar që është agjencia e bregdetit, kemi edhe një autoritet tjetër kombëtar që është KKRT-ja, e cila është vendimmarrësja kryesore për ndërhyrjet në tokë në republikën e Shqipërisë. Të treja këto tre autoritete nuk kanë patur bashkëveprim midis njëra-tjetrës për të krijuar një zgjidhje përfundimtare dhe të sigurtë për vijën bregdetare shqiptare .

Endri Haxhiraj
Endri Haxhiraj

Erozioni vazhdon të gllabërojë pasuri natyrore të paçmuara, ndërsa mungesa e investimeve për ruajtjen e këtyre peizazheve të jashtëzakonshme do të ketë pasoja të rënda në vazhdimësi. Dhjetëra hektarë tokë, janë tashmë nën ujë, dhe me to po humbin edhe mundësitë për zhvillim ekonomik dhe mirëqenie për brezat e ardhshëm. Institucionet heshtin, ndërsa në këto zona, komuniteti mbetet i pavetëdijshëm për pasojat tragjike që po shkatërrojnë vendin, aty ku breza të tërë ndërtuan jetën e tyre. Strategjitë për të frenuar, ose ndaluar erozionin janë të pamjaftueshme, ndërsa fenomeni ka shumë aleatë. Beteja e atyre që luftojnë për ta ndaluar erozionin, duket gjithnjë e më e vështirë, një luftë e humbur përballë indiferencës, pasivitetit dhe abuzimeve që vazhdojnë të mbizotërojnë.

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb