Nga: ENTON ABILEKAJ *
Rastet tragjike të humbjes së jetës për të lidhur energjinë elektrike shkaktuan një debat politik që nuk kishte për objekt viktimat. Asnjëra nga palët nuk u mor me situatën e vërtetë të aksionit dhe as me shkaqet e situatës. Aksioni, ndryshe nga fillimi i tij, nuk është përqendruar tek biznesi që u shmanget detyrimeve, pavarësisht fuqisë paguese, por u shtri tek familjarët. Ndryshe nga ç’u deklarua në fillim gjithashtu, objekti nuk ishin vetëm ata që kishin bërë lidhje të paligjshme, por edhe ata që kanë fatura të papaguara. Kështu në aksion e sipër, lindi një kategori njerëzish, që nuk janë hajdutë energjie, nuk janë as trima dhe as biznesmenë. Kjo kategori dominohet nga njerëz të pamundur për ta paguar energjinë për shkak të mungesës së të ardhurave. Kjo është shtresa më e prekshme nga çdo aksion i qeverisë, apo biznesit, kjo është shtresa më e pambrojtur e popullsisë, shtresë e preferuar për të gjithë agjencitë ligjzbatuese, që pasi korruptohen apo tremben në adresat e biznesit apo të fortëve, u kthehen të varfërve të pambrojtur. Prekja e kësaj shtrese, nuk është vetëm devijim i aksionit të qeverisë, devijim nga programi qeveritar dhe akoma më tepër është marrëdhënie e njëanshme e pushtetit me qytetarët; kërkon detyrimet pa plotësuar vetë detyrimet minimale.
Në 15 muaj qeveria rikonstruktoi qendrat e punës, për tu dhënë atyre më shumë rol në punësim. Propaganda që e shoqëroi këtë proces, tentoi të ndikonte në radhë në interesimin e njerëzve për punë në zyrat e shtetit, interesim që do të sillte njëkohësisht regjistrimin e saktë të të papunëve. Për këtë regjistrim të saktë, socialistët dje në opozitë, bërtisnin që janë 1 milion të papunë, por të paregjistruar. Këta 1 milion nuk u regjistruan dot as në qeverisjen socialiste, megjithëse zyrat e punës morën një peshë më të madhe. Gjithsesi, fakti mbeti. Në Shqipëri ka të papunë të paregjistruar të cilët nuk marrin asnjë ndihmë sociale. Të papunët e regjistruar e marrin ndihmën sociale vetëm nëse plotësojnë disa kritere dhe ata që i plotësojnë kriteret marrin një ndihmë simbolike, nga 2500 deri në 8800 lekë, ose rreth 1200 lekë për person. Ndërsa në fshat jeton një armatë e tërë të papunësh që quhen të punësuar në tokën e tyre të pataksuar nga shteti. Të gjitha këto kategori, përbëjnë shtresën e varfër, e cila është shumë larg minimumit jetik. Një studim i Koalicionit për Solidaritet Social, tregon që minimumi jetik për një familje me 4 anëtarë është 61852 lekë, nga kjo 38959 lekë është shuma ushqimore dhe 21 994 është shuma joushqimore. Në këtë llogari minimale, pagesa e dritave zë vetëm 2400 lekë. Megjithëse minimale, këto shifra tregojnë që qeveria është shumë larg detyrimeve ndaj qytetarëve, nuk u garanton dot atyre, atë që çdo qeveri në Europë duhet t’u garantojë qytetarëve, minimumin jetik. Është term që përbëhet ushqimi, dritat dhe uji. Ky është një detyrim minimal që, jo vetëm nuk ka qenë objektiv i qeverisë së djeshme, jo vetëm që nuk është objektiv i kësaj qeverie, jo vetëm nuk parashikohet të jetë vitin e ardhshëm, por nuk merret në konsideratë. Minimumi jetim i llogaritur është më i ulët se paga minimale e njohur me vendim qeverie, është më i ulët se pagat e punonjësve të statusit më të ulët në administratën publike. Mungesa e këtij minimumi të ardhurash mund t’i ketë detyruar ata punonjës të administratës që u pushuan nga puna se nuk kishin paguar energjinë për një kohë të gjatë. Pushimi i tyre nga puna, nuk është masë nxitëse për ta paguar energjinë pas kësaj.
Gruaja që e humbi jetën duke tentuar të sjellë energji të paligjshme, bashkë me 26-vjeçarin, janë viktima të trajtimit prepotent të kësaj shtrese. Shumë familje, madje dhe zona në të gjithë vendin kanë pranuar errësirën përpara alternativës së burgut, por nuk mund të bëjnë asgjë në të ardhmen e afërt për të ndezur ndonjë llambë në shtëpi. Këta janë të kërcënuarit nga errësira, të cilët nuk mund të bëjnë asgjë vetëm ta pranojnë atë. Ata nuk mund ta paguajnë energjinë sado pak të konsumojnë. Nëse largohen nga Shqipëria si emigrantë apo si azilkërkues, ata mund të jetojnë më mirë. Vendi pritës, kushdo qoftë, do t’u ofrojë strehim dhe ushqim falas, energjinë elektrike pa kursim, derisa të vendosë nëse do t’i pranojë. Kjo praktikë në vendet perëndimore, ka për qëllim eliminimin e krimit potencial. Një i pastrehë i uritur dhe pa të ardhura, është potencial për krim. Ata që humbën jetën për të lidhur energjinë, ishin duke shkelur ligjin. Nga nevoja e fëmijëve, apo për të pritur miqtë, apo çfarëdo arsye i çon në humbjen e jetës duke bërë shkelje të ligjit. Për ta shmangur këtë, vendet e zhvilluara paguajnë atë që ka kosto më të vogël se krimi, minimumin jetik.


(d.d/GSH/BalkanWeb)