TIRANE- Deputeti i Partisë Socialiste, Ervin Bushati, ka reaguar në lidhje me deklaratat e bëra nga kreu i PD-së, Luzim Basha për listën e bizneseve, të cilat në optikën e Bashës kanë uzurpuar pasurinë e shqiptarëve.

Sipas Bushatit, skema që ka lançuar Basha për zhvatjen e bizneseve, po i vendos ata mes dy alternativave të rrezikshme, duke ringjallur edhe njëherë fantazinë e sistemit komunist.

Ai shton se Basha nuk ka qenë kaq i dëshpëruar edhe në kohën kur humbi zgjedhjet në shtëpinë e tij në njësinë 8, por thekson se historia me kunatin është një veprim tjetër, i cili vijon ta mbajë pezull dhe të stresuar Bashën.

“Lulzim Basha ndihet i zënë keq nga denoncimet për zhvatje dhe kërcënime të bizneseve dhe qytetarëve që neve si PS po sjellim në dritë dhe ditë pas dite.Kryetari i “kuq” i PD po i vendos bizneset dhe kompanitë private mes dy alternativash të tmerrshme: Shtetëzimit Komunist përmes “Listës së Zezë” që prej ditësh ka vënë pas murit të PD, ose Zhvatjes me Taksën e Kunatit përmes shifrash marramëndese.

3 dekada pas rënies së Komunizmit në Europë shqiptarët po rikujtohen me pahir nga PD dhe një herë se çfarë kanë hequr në të shkuarën. Ringjallja e Fantazmës së Komunizmës nga LULKUQI i PD po na vjen përditë në ekranet tona televizive, mjafton dhe sapo të përmendet Taksa e Kunatit. Lulkuqi të numëron pa pikë morali si të ishte viti 1946, gjithë pronat e ndershme dhe të LIGJSHME të punës së krushqisë, farefisit apo dhe prindërve të larguar nga kjo jetë. LULKUQI kurrë ska qenë kaq i dëshpëruar, acid dhe komunist i Kuq: as kur humb Zgjedhjet në emër të PD (edhe në Njësinë 8, shtëpinë e tij), as kur mbron Kuksianët, as kur mbron artistët, as kur mbron parimet e djathta të një Partie Demokratike sot në Koma Morale. Kam rrespekt për Demokratët e vërtetë që njësoj sa Unë besojnë në vlerat bazë: të Drejtës së Pronës, Tregut të Lirë, Fuqisë së Kapitalit shqiptar dhe urrejnë Komunizmin e Kuq si Dje & Sot. Respekt për Lulkuqin … JO!

Pres me Respekt nga Demokratët e vërtetë të mohojnë Virusin e Kuq sovjetik si Dje ashtu dhe Sot, në çfarëdo lloj forme të ricikluar nga Kryetar sterilë të kuq partish. Para se të rinxjerrë në ekranet televizive konferencierët Hemafroditë të Kuq të tij, po deklaroj para se ti “zbulojë Gjyqi Popullor” të Lulëkuqit se posedoj: 2 qen shtëpiak, 1 mace, 2 breshka uji dhe 7 peshq akuariumi. Zogjtë e Zotit më ulen vetë ne bahçe, ndaj nuk i quaj të mitë për të deklaruar.”, shkruan Bushati.

(n.m/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb