Vetëm pak momente më parë deputeti i Partisë Demokratike Ervin Salianji ka hyrë në ambientet e Policisë së Tiranës për të kryer vetëdorëzimin e tij te autoritetet.
Para godinës së policisë së kryeqytetit mbështetës dhe simpatizantë të shumtë kanë pritur demokratin dhe kanë shprehur mbështetjen e tyre për të.
“Ervin, na ke ne. Mos u dorëzo kurrë”, iu drejtuan disa prej tyre Salianjit, ndërsa ky i fundit nënvizoi se kjo betejë nuk përfundon.
“Kam thënë është një betejë që nuk përfundon, nuk është një betejë e lehtë. Asnjë sakrificë nuk shkon dëm. Në përballje me regjimin secili merr kostot e veta. Unë e di që shumë miq që janë mbledhur këtu rastësisht kanë vuajtur represionin e qeverisë, e vuajnë çdo ditë nëpërmjet përdorimit të institucioneve, vjedhjeve, tatimeve, doganave, policisë. Kjo qeveri ka mbjellë varfëri dhe banditë kudo. Ne do t’i çmontojmë banditët dhe dita e demokratëve dhe qytetarëve do të vijë”, u shpreh Salianji para se të hynte në ambientet e Policisë së Tiranës.
(BalkanWeb)